Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar të mërkurën, sipas kohës lokale amerikane, se do të urdhërojë Pentagonin dhe Departamentin e Sigurisë së Brendshme që ta përgatisin një Qendër të Mbajtjes për Emigrantë në Gjirin e Guantanamos, ku mund të vendosen deri në tridhjetë mijë persona – raporton të enjten, më 30.01.2025, Agjencia e lajmeve Reuters.
Baza Ushtarake Amerikane në Gjirin e Guantanamos në Kubë ka një Qendër të Strehimit të Emigrantëve – të ndarë prej Burgut të profilit të lartë për të dyshuarit e huaj për terrorizëm – që ishte përdorur me raste për dekada me radhë – përfshirë mbajtjen e haitianëve dhe kubanëve të arrestuar në det.
Cari kufitar i Administratës së Trumpit, Tom Homan ka deklaruar më vonë të mërkurën se do të zgjerohen Qendrat aktuale të vendosjes dhe se drejtimin e operacioneve do ta marrë Agjencia për Emigracion dhe Dogana.
“Sot unë kam nënshkruar edhe një Urdhër Ekzekutiv për instruktimin e Departamenteve të Mbrojtjes dhe të Sigurisë Brendshme, që të nisin përgatitjen e Qendrës për vendosjen e 30 mijë emigrantëve në Gjirin e Guantanamos.” – ka deklaruar presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Ai ka thënë se Qendra do të përdoret për “të arrestuar të huajt më të këqij ilegalë kriminalë të cilët kërcënojnë popullin amerikan. Disa prej tyre janë aq të këqij, saqë ne nuk u besojmë as vendeve që t’i mbajnë, për shkak se nuk dëshirojmë që të kthehen përsëri, andaj do t’i dërgojmë në Guantanamo. Dhe, kjo do ta dyfishojë menjëherë kapacitetin tonë, apo jo? Dhe, sertë.”
Pas pak kohe Trumpi ka nënshkruar një Memorandum, që nuk përfshin ndonjë numër emigrantësh, por bënte thirrje për “hapësirë shtesë të mbajtjes” në Qendrën e zgjeruar.
Duke folur me gazetarët Homan ka thënë se Qendra do të përdoret për “më të keqen e më të keqes”.
Sekretarja e Sigurisë së Brendshme, Kristi Noem, e pyetur sesa para do të shpenzohen për këtë Qendër, ka thënë se Administrata po punon në pajtim me detyrimet ligjore që dalin në Kongres.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com