Ballina

Paraburgim për policin i cili dyshohet se shkaktoi aksidentin me tre të vdekur në fshatin Çubrel

E. R. i janë caktuar 30 ditë paraburgim për rastin e aksidentit në Çubrel, ku mbetën të vdekur tre persona. E. R. dyshohet për veprën penale “rrezikim i trafikut publik”.

Gjykata e Mitrovicës ka aprovuar Kërkesën e Prokurorisë për t’i caktuar 30 ditë paraburgim E. R., zyrtar policor, i cili dyshohet se ka shkaktuar aksidentin me fatalitet në Çubrel, ku mbetën të vdekur tre persona.

Ky aksident kishte ndodhur më 26.01.2025.

Prokuroria më 28.01.2025 kishte kërkuar masën e paraburgimit për E. R. por që mbrojtësi i të dyshuarit e kishte kundërshtuar atë duke kërkuar që t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak, me arysen e gjendjes shëndetësore dhe se vepra është kryer nga pakujdesia.

Sipas njoftimit të Gjykatës, E. R. nuk ka mundur të deklarohet për shkak të gjendjes shëndetësore.

Gjyqtar i procedurës paraprake ishte Valon Hajdini.

Seanca dëgjimore lidhur me këtë rast është mbajtur në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për shkak të trajtimit që ishte duke marrë i dyshuari për këtë aksident.

“Gjykata pasi ka vlerësuar pretendimet e palëve ka gjetur se Kërkesa e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit është e bazuar, pasi që Gjykata ka gjetur se ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale të përshkruar si në Kërkesën e Prokurorisë.” – thuhet në Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicës – Dega Skenderaj.

Sipas njoftimit të Gjykatës dyshohet se aksidenti ka ndodhur kur i pandehuri nuk e ka përshtatur shpejtësinë e lëvizjes në rrugën Pejë – Mitrovicë në fshatin Çubrel.

Tutje, në njoftim të Gjykatës thuhet shoferi i veturës kishte dalë në shiritin e kundërt të rrugës Pejë – Mitrovicë dhe si pasojë e ka goditur automjetin Golf, i cili ka qenë duke lëvizur nga drejtimi Mitrovicë -Pejë.

“I pandehuri zyrtar policor E. R. po drejtonte automjetin kombi të tipit VW, ngjyrë e bardhë, ndërsa automjetin tjetër Golf IV, ngjyrë hiri, e kishte drejtuar tashmë i ndjeri A. G., i cili kishte vdekur në vendin e ngjarjes. Bazuar në hetime dyshohet se aksidenti ka ndodhur kur i pandehuri nuk e ka përshtatur shpejtësinë e lëvizjes në rrugën nacionale Pejë – Mitrovicë, në fshatin Çubrel, pasi që ishte një kthesë në të djathtë, ka dalë në shiritin e kundërt të rrugës dhe ka goditur automjetin Golf, i cili ka qenë duke lëvizur nga drejtimi i kundërt Mitrovicë – Pejë dhe si pasojë e aksidentit tre pasagjerët kanë marrë lëndime të rënda trupore dhe më pas është konfirmuar nga mjeku kujdestar në QKMF në Skenderaj që shoferi i automjetit Golf IV A. G. ka vdekur. Ndërsa, tre pasagjerët e tjerë janë dërguar në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, ku nga mjeku kujdestar është konfirmuar vdekja e të dy pasagjereve të tjera – femra, ndërsa një fëmijë ka mbetur në tretman dhe dyshohet se ka lëndime të rënda trupore.” – thuhet në njoftimin e Gjykatës.