Ballina

“Nuk ka pardon”: Koalicioni AAK-Nisma zotohet për lirimin e pronave të uzurpuara

Kandidatja për deputete nga koalicioni AAK-Nisma, Emine Daci-Zejnullahu, në emisionin “Debat Përnime”, ka folur për çështjen e objektit ku ka qenë e vendosur selia e AAK-së, e që i është marrë nga Ministria e Bujqësisë, për shkak se është pronë e saj.

Ajo tha se nuk e sheh si ndonjë fitore të ministrisë këtë gjë.

“Në qoftë se ka qenë pronë e Ministrisë së Bujqësisë, thjesht ka qenë proces, procedurë ku janë liruar objektet e Ministrisë. Nuk e shoh ndonjë fitore. Është shfrytëzuar sa është shfrytëzuar sepse ka qenë me qira. Është bërë kërkesa dhe është liruar. Nuk është që e kemi marr ne ndonjë pronë nga një shtet fqinj”, tha Daci-Zejnullahu.

Ndërsa kandidati Smajl Latifi, pretendon se Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia e Pyjeve ka vepruar politikisht në këtë rast.

“Ministria e Bujqësisë dhe Agjencioni Pyjor politikisht ka vepruar, edhe me teke- edhe me inate. Për shembull e ka marr edhe objektin që e ka pasur shfrytëzim AAK-ja, ndërkohë që ka pas një marrëdhënie kontraktuale. Bile-bile jam çudit kaq shumë… Por, sidoqoftë ma mirë na ka ra, e na ka dalë”- tha Latifi.

Ndër të tjera, ai foli edhe për çështjen e uzurpimit të pronave publike për të cilat tha se do të zbatohet ligji dhe s’do të këtë kompromis ndaj askujt.

“Pronat që janë të uzurpuara nuk ka pardon aty, nuk ka kompromise, ka zbatim të ligjit”- tha Latifi.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.

RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” në nisje të debatit për infrastrukturë, ambient dhe bujqësi tha se: “Rrugët nuk janë mbërri me u ndreq, mirëpo nashta i kishim falë diqysh nëse e kishin ndreq bile ambientin. Për fat të keq Deponia e Mirashit dhe deponitë e mbeturinave janë në gjendje katastrofale sot e kësaj dite në Kosovë. Asnjëri prej impianteve të ujërave të zeza që ka pasë me u kry nuk është përfundu”.

Për më shumë lexoni në tekstin në vijim:

https://kallxo.com/gjate/polici-mjedisore-central-me-gaz-dhe-rritje-te-subvencioneve-koalicioni-aak-nisma-per-ambientin-dhe-bujqesine/