Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka prezantuar llojin e kamerave vëzhguese që do të vendosen në vendvotime gjatë procesit të votimit dhe numërimit, në Zgjedhjet nacionale më 09.02.2025.
Sipas KQZ-së vendosja e kamerave vëzhguese në hapësirat brenda vendvotimit bëhet me qëllim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në vendvotim.
“Vendosja e kamerave në vendvotime do të bëhet duke siguruar plotësisht fshehtësinë e votës, pasi ato do të vendosen në skajin tjetër të vendit ku do të jetë Kabina e votimit dhe në asnjë rrethanë nuk do të mund të regjistrojë shënjimin e preferencës së votuesit.” – ka shpjeguar KQZ.
Ky institucion ka bërë të ditur se ruajtja e regjistrimeve të kamerave do të jetë e përkohshme deri në shkatërrimin e materialit zgjedhor, me përjashtim të atyre nga vendvotimet ku evidentohen parregullsi, me qëllim që t’iu ofrohen institucioneve ligjzbatuese.
“Në Ditën e Zgjedhjeve KQZ nuk do t’i monitorojë këto kamera, pra regjistrimi nga ana e tyre do të bëhet në mënyrë pasive dhe se qasja në videoregjistrime mund të sigurohet vetëm me Vendim apo Kërkesë të institucioneve ligjzbatuese.” – ka theksuar KQZ.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka blerë 2 mijë e 500 kamera vëzhguese, bashkë me pajisje përcjellëse, për të monitoruar dhe vëzhguar procesin zgjedhor të 9 shkurtit 2025.
Në total, Kontrata ka kushtuar 699 mijë euro dhe atë e ka fituar Kompania “Besa Security”.
Kontrata është nënshkruar më 31.10.2024.
Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.
Për njё muaj partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.
Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë. Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.
https://kallxo.com/lajm/ku-dhe-si-do-te-vendosen-kamerat-vezhguese-neper-qendrat-e-votimit-ne-diten-e-zgjedhjeve/?fbclid=IwY2xjawIIUtVleHRuA2FlbQIxMAABHbGLPVznyQslMXBDm35VjrajT5b1LruSicdJDXrZsCAlkDSWCUYHNzygrA_aem_ok6SHbITC08JYDH_eo_gdQ