Ballina

Filharmonia e Kosovës të premten mban koncert në Prishtinë

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të mbajë të premten, më 31.01.2025, nga ora 19:30, koncert në atelienë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Koncerti do të dirigjohet nga mjeshtri italian Dario Salvi, ndërsa pjesë e këtij koncerti do të jetë edhe flautisti italian Andrea Griminelli.

“Nën drejtimin e mjeshtrit Dario Salvi, Griminelli do të luajë Koncertin për flaut nr. 1 të Moxartit dhe, më pas, së bashku me flautisten e mirënjohur kosovare Venera Mehmetagaj – Kajtazi, do të interpretojnë kohën e tretë të Koncertit për dy flaute nga Cimarosa”- thuhet në njoftimin e Filharmonisë.

Në këtë mbrëmje, sipas njoftimit, në shënim të 255-vjetorit të lindjes së Beethovenit, orkestra do të interpretojë “Simfoninë e 8-të” të gjeniut klasik, ndërsa gjithashtu do të interpretohet edhe premiera e veprës ‘Rush Hour 2’ nga kompozitori kosovar Lum Halabaku.

Me këtë koncert, siaps njoftimit, do të nisë cikli i koncerteve drejt shënimit të 25-vjetorit të themelimit të Filharmonisë së Kosovës.