Policia e Kosovës ka njoftuar për dy raste të dhunës në familje në Rajonin e Prishtinës.
Më 29.01.2025, një patrullë e Policisë hasi në një automjet në Podujevë, ku një çift ishte duke u përleshur fizikisht. Të njëjtit sipas forcave të rendit janë dërguar në Emergjencë, për trajtim mjekësor.
“Njësiti policor derisa ka qenë duke patrulluar, ka hasur në një automjet të ndalur, ku çifti që ishin në automjet ishin duke u rrahur mes vete.” – njofton Policia.
Palët janë dërguar në Emergjencë, kanë marrë tretman mjekësor dhe pas konsultimit me Prokurorin janë liruar në procedurë të rregullt.
Ndërsa, në një rast tjetër në Prishtinë, një burrë dyshohet se ka sulmuar fizikisht gruan me të cilën bashkëjetonte.
“E njëjta pas intervistimit me dëshirë ishte kthyer në shtëpinë e prindërve të saj, së bashku me fëmijën e saj, ndërsa i dyshuari gjendet në arrati.” – thuhet në njoftim.