Dega e baletit e Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë ka shfaqur të mërkurën, më 29.01.2025, premierën e baletit “Transformim”.
Kjo premierë është shfaqur në Teatrin “Oda” në Prishtinë.
Koreografia e shfaqjes është realizuar nga Driton Saqipi, profesor i baletit në këtë shkollë, ndërsa interpretuan nxënësit e kësaj shkolle.
Kjo shfaqje e zhanrit kontemporan është përcjellë me muzikë të emrave të njohur botërore, si: Edith Piaf, Bill Haley, Pan Sonic e Rona Castrioti.
Koreografi Driton Saqipi tha për KALLXO.com se shfaqja “Transformim” është krijuar duke u bazuar në transformimet që po ndodhin në shoqëri në përgjithësi, që nga lojërat e fëmijëve deri tek ato politike.
“Për realizmin e shfaqjes ‘Transformim’ jam inspiruar nga transformimet që po ndodhin çdo ditë në përditshmërinë tonë, si po transformohet dansi, lojërat e fëmijëve deri te transformimet politike. Dansi kontemporan të mundëson të kapësh tema të cilat mund t‘i kapësh dhe përjtosh çdo ditë”- ka thënë Saqipi.
Sipas tij, për vitin e pestë me radhë, kjo shkollë është fokusuar në realizimin e 4 shfaqjeve premierë në vit të zhanrit kontemporan dhe klasik.
Saqipi thotë se me shfaqjen e këtyre premierave nxënësit e shkollës e kanë më të lehtë përballjen me publikun në të ardhmen.
Me shfaqjen “Transformimi” Shkolla “Prenk Jakova” ka shënuar edhe 75 -vjetorin e saj. Në kuadër të Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” që nga 2001 funksionon edhe Dega e Baletit.

