Ballina

Mbahet mbledhje komemorative për akademik Minir Dushin

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) ka mbajtur të mërkurën, më 29.01.2025, një mbledhje komemorative me rastin e vdekjes së anëtarit të saj, akademik Minir Dushi, i cili vdiq më 27.01.2025.

Gjatë kësaj mbledhjeje u tha se akademik Dushi gjatë gjithë jetës së tij kontribuoi në zhvillimin e arsimit dhe shkencës në Kosovës, veçmas asaj minerale.

Akademik Mehmet Kraja, Kryetar i ASHAK-ut, tha gjatë fjalës së tij se akademik Dushi ishe anëtar i ASHAK-ut për 50 vjet më radhë dhe se vdekja e tij ka lënë një zbrazëti të madhe në Akademi.

“Akademik Minir Dushi  ka marrë pjesë në themelimin e institucioneve më prestigjioze të arsimit. Ai ishte inxhinieri i parë shqiptar që zbriti në galeritë e Trepçës, gjatë hartimit të Enciklopedisë së Kosovës. Më ka bërë përshtypje veçmas, se ai fliste dhe shkruante me një konsideratë të jashtëzakonshme për pasuritë tokësore e nëntokësore së Kosovës.” – tha ai, duke shtuar se ikja e akademik Dushi lë një vend të zbrazët në Akademi i cili, siç tha Kraja, për shumë kohë ishte emblema e këtij institucioni.

Ndërsa, Fetah Podvorica, anëtar korrespondent i ASHAK-ut, tha se akademik Dushi ka dhënë një kontribut në themelimin e Fakultetit të Xehetarisë – Metalurgjisë dhe Institutit të Plumbit dhe Zinkut të  Kombinatit “Trepça” etj.

“Akademik Dushi dha kontribut edhe në hartimin Fjalorit Enciklopedik  të Kosovës, ndërsa opusi shkencor i tij arrin mbi 180 Njësi bibliografike.” – tha Podvorica, Sekretari i Seksionit të Shkencave të natyrës në ASHAK.

Një fjalë rasti mbajti edhe djali i akademik Dushit, Baton Dushi. Ai tha se përveç familjes edhe Akademia e humbi anëtarin e saj të familjes akademike.

“Familja juaj e Akademisë humbi kolegun punëtor, derisa familja jonë humbi prindin fort të kujdesshëm dhe shumë punëtor. Respekt, mirënjohje për çdo ditë që prindi ynë gjeti respekt dhe ngrohtësinë tuaj.” – tha Dushi.

Një telegram ngushëllimi për vdekjen e akademik Dushit ka dërguar edhe  Akademia e Shkencave të Shqipërisë.

Biografia e akademik Dushit

Akademik Minir Dushi u lind në Gjakovë në vitin 1929. Shkollën Fillore e kreu në vendlindje, ndërsa Shkollën e Mesme Teknike e mbaroi në Nish (1950).

Studioi në Fakultetin e Xehetarisë në Beograd, ku diplomoi më 1958, ndërsa doktoroi po në Universitetin e Beogradit në vitin 1965.

Një kohë punoi në Minierën e Trepçës, duke ushtruar edhe funksione të ndryshme udhëheqëse në këtë Kombinatin “Trepça”.

Ai ishte ndër themeluesit dhe drejtues i shumë institucioneve mësimore dhe shkencore, si: Shkollës së Lartë Teknike në Mitrovicë (1961-1966), Institutit të Plumbit dhe Zinkut të  Kombinatit “Trepça” (1966-1973): Fakultetit të  Xehetarisë dhe Metalurgjisë në Prishtinë (1970), e më vonë në Mitrovicë (1975-1979).

Në vitin 1969 u zgjodh profesor inordinar i Fakultetit Teknik të Prishtinës, ndërsa në vitin 1975 profesor ordinar i Fakultetit Xehtaro-Metalurgjik në Mitrovicë, ku ushtroi edhe detyrën e Dekanit për dy mandate.

Me themelimin e Universitetit të Prishtinës (1970) u zgjodh Zëvendësrektor i parë, kurse në vitin 1981 u bë Rektor i këtij Universiteti (1981-1983).

Anëtar korrespondent i ASHAK-ut u zgjodh që nga themelimi i Akademisë në vitin 1975, kurse në vitin 1978 u zgjodh anëtar i rregullt. Në vitin 1986 u bë anëtar i Kryesisë së KSA të Kosovës.

Opusi shkencor i akademik Minir Dushit arrin mbi 180 Njësi bibliografike. Nga fusha e Xehetarisë ka botuar 8 vepra e afro 70 punime shkencore dhe profesionale. Ka të botuara 18 libra shkencorë, nga të cilët 4 tekste universitare, si dhe 14 vepra të tjera të veçanta të botuara nga ASHAK-u dhe Universiteti i Prishtinës.

Akademik Minir Dushi është nderuar me një sërë çmimesh, dekoratash dhe mirënjohjesh. Akademik Minir Dushi ishte veteran i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe ishte shpallur edhe veteran i arsimit të Kosovës.

Në 25-vjetorin e Universitetit të Prishtinës, Senati i këtij Universiteti i dha titullin “Profesor emeritus”, kurse Këshilli Shkencor-Mësimor i Fakultetit Xehtaro-Metalurgjik në vitin 1996 e shpalli “Dekan nderi”.

Varrimi i akademik Minir Dushit bëhet sot, më 29.01.2025, në varrezat e qytetit të Gjakovës, në orën 16:00.

Pamje nga mbledhja komemorative për akademik Minir Dushin / Foto: KALLXO.com