Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, e konsideron jetike integrimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike.
Ajo e fajëson Qeverinë Kurti, për siç ka thënë, “stagnimet në proceset integruese”.
Lidhur më këtë çështje, LDK ka planifikuar rikthimin e Ministrisë për Integrime Europiane, ndonëse e njëjta ishte shuar nga ish-kryeministri i kësaj partie, Avdullah Hoti, në vitin 2020.
“Me prioritet do ta bëjmë Ministrinë e Integrimeve Europiane që procesi i menaxhimit të plotësimit të kritereve për anëtarësim në BE të jetë strukturor dhe i organizuar”- tha Lushaku-Sadriu, në “Debat Përnime”, më 29.01.2025.
Përveç kësaj, prioritet i LDK-së, sipas saj, do të jetë edhe angazhimi për anëtarësimin dhe përfaqësimin e Kosovës në iniciativat rajonale.
Në mandatin e fundit qeverisës të vendit, Lushaku-Sadriu thotë se ka pasur cenim të vlerave bazike që kanë të bëjnë më qeverisjen demokratike.
E për këtë, ajo tha se do të punohet që të forcohen raportet me aleatet që i ka Kosova.
“Qeveria jonë i ka kontribuar situatës qe ne të jemi në këtë pozitë. Ne duhet të angazhohemi jashtëzakonisht që politikisht t’i forcojmë aleancat tona politike, qysh janë me SHBA-në, dhe të paktën me shtetet mike që i kemi brenda BE-së, që të lobohet për Kosovën, që të njihemi nga pesëshja, sepse anëtarësimi në BE varet edhe nga pesëshja që është anëtare e BE-së”- tha ajo.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.
RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” tha në nisje të debatit për politikën e jashtme se “Donika Gërvalla si ministre e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca si kryetar i Kuvendit, Vjosa Osmani si presidente, deri tani edhe komplet Qeveria Kurti 2, me gjithë respektin ndaj tyre, janë udhëheqësi e parë pas shpalljes së Pavarësisë që po e përfundon mandatin e plotë pa asnjë njohje të vetme”.
Për më shumë lexoni në linkun në vijim:
https://kallxo.com/gjate/ldk-premton-agjenci-per-mergaten-rikthim-te-ministrise-per-integrime-dhe-moszbatim-te-marreveshjes-se-ohrit/