Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka shpalosur Programin e tij dhe partnerëve të Koalicionit për infrastrukturën.
Haradinaj ka thënë se Progami i tij përfshin projekte madhore.
Ndërsa as gjatë kësaj fushate elektorale, Haradinaj nuk ka hequr dorë nga zotimi i kahmotshëm për ndërtimin e Autostradës së Dukagjinit.
Përveç kësaj ai ka premtuar finalizimin e autostradave dhe rrugëve që presin fundin me vite.
“Programi ynë përfshin projekte madhore, mes të tjerash: Autostrada e Dukagjinit: Prizren – Rahovec – Gjakovë – Junik – Deçan – Pejë – Istog – Mitrovicë; finalizimi i Autostradës: Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë; finalizimi i rrugës Klinë – Gjakovë; finalizimi i rrugës Prishtinë – Vushtrri – Mitrovicë; finalizimi i Autostradës Prishtinë – Pejë; fillimi i rrugës Prizren – Tetovë; finalizimi i rrugës Deçan – Plavë; Unaza e Jashtme e Prishtinës; finalizimi i rrugës Prishtinë – Podujevë; Aksi ndërlidhës i Autostradave në Duhël.” – ka shkruar Haradinaj, më 29.01.2025.
Sa ishte në qeverisje Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (2017 – 2020) kishte nisur Projektin për Ndërtimin e një Autostrade që kalonte nëpër regjionin e Dukagjinit.
Jetësimi i këtij projekti ka filluar qysh në mars të vitit 2018, kur Ministria e Infrastrukturës, e udhëhequr nga Pal Lekaj i AAK-së, kishte nënshkruar Kontratë për “Hartimin e Projektit zbatues për ndërtimin e Autostradës: Istog – Pejë – Deçan – Gjakovë – Prizren 91km”.
Kontrata për këtë Projekt kishte qenë 1 milion e 39 mijë euro dhe ishte fituar nga grupi i Operatorëve “Infra Plus” dhe “Infratek”.
Ky projekt jo rrallë herë ka përplasur akterë pozitë-opozitë varësisht nga rrethanat politike në Kosovë.
Kundër këtij Projekti u patën deklaruar zyrtarë nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Qeveria aktuale e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti në planin e projekteve infrastrukturore nuk e ka paraparë ndërtimin e Autostradës së Dukagjinit.
Një deklaratë e kryeministrit Albin Kurti se me Projektin për zgjerimin e rrugës së segmentit Kijevë-Dollc dhe me anulimin e Projektit të Autostradës së Dukagjinit, Qeveria ia ka kursyer Kosovës 150 milionë euro, ka nxitur reagim të ashpër të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.
“Rruga Kijevë-Zahaq do të bëhet, me cilësi më të lartë, projektim e përgatitje më të mirë dhe atë për 150 milionë euro më lirë se projekti paraprak të cilin e kemi anuluar. Nga 240 milionë euro sa kushtonte atëherë kur nuk po realizohej, tash po realizohet me 90 milionë euro.” – ka shkruar Kurti.
Këtë deklaratë ish-kryeministri Ramush Haradinaj e ka quajtur “rrenë të kulluar elektorale”. Ai ka thënë se kjo Autostradë megjithatë do të ndërtohet “herëdokur”.
Fushata për Zgjedhjet parlamentare në Kosovë ka filluar zyrtarisht, më 11.01.2025.
Partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.
Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.
Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.
Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë Zgjedhjet e gjashta me radhë që do mbahen në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008.