Ballina

Hamza premton 25 milionë euro bursa studentore për çdo vit

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, më 29.01.2025 ka mbajtur takim me studentë në Prishtinë.

Hamza ka thënë se e ka prioritet të lartë arsimin.

Ai ka premtuar 25 milionë euro bursa studentore për çdo vit.

“Unë, kryeministër, ju siguroj dhe ju garantoj që vajzë apo djalë, që nuk ka mundësi t’i realizojë ëndrrat e saj apo të tij për shkak të kufizimit financiar, nuk do të ketë më në Kosovë. Starti është 25 milionë Fond Shtetëror për Bursa çdo vit. Ne do t’i ndihmojmë startup-et përmes Fondit për Garantimin e Kredive, të cilit do t’ia rrisim fushëveprimtarinë dhe kapitalin, që ata ta marrin riskun, ndërsa kreditë t’i realizojnë të rejat edhe të rinjtë që kanë vizion, që kanë program me fizibilitet. Ne do t’ua garantojmë qasjen në financa”- ka thënë Hamza.

Hamza ka thënë që beson te të rinjtë, sepse kanë vizion edhe për 40-50 vitet e ardhshme.

Fushata për zgjedhjet parlamentare në Kosovë ka filluar zyrtarisht më 11.01.2025.

Partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.