Ballina

Dalin komunikimet e MASHTI-t për Shkollën në Pozhoran që e anuloi përurimin e saj

Tri javë më parë ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci e anuloi përurimin e Shkollës Fillore e të Mesme të Ulët “Halil Alidema” në Pozhoran të Vitisë, më 08.01.2025.

Ndonëse, në njoftimin e tyre për media Ministria e Arsimit nuk e arsyetoi anulimin e përurimit, KALLXO.com e vizitoi Shkollën “Halil Alidema” dhe pa se nuk kishte përfunduar pranimi teknik dhe kishte ende punë për t’u kryer brenda e jashtë objektit.

Atë ditë, në një përgjigje për KALLXO.com, Ministria e Arsimit tha se investitor i Shkollës “Halil Alidema” në Pozhoran është Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) dhe kanë pasur informacione se “çdo gjë është gati” në lidhje me këtë Shkollë.

Më 22.01.2025, KALLXO.com ka siguruar komunikimin mes Ministrisë së Arsimit dhe MPB-së në lidhje me punimet në Shkollën “Halil Alidema” në Pozhoran. 

KALLXO.com ka siguruar edhe një Kërkesë të Drejtorisë së Arsimit në Viti adresuar Ministrisë së Arsimit që ta furnizojë Shkollën “Halil Alidema” me inventar. Kërkesa ishte dërguar edhe përmes email-it në Ministri, më 31.12.2024 – një javë para se Nagavci ta planifikonte përurimin e Shkollës.

Në komunikimin e MPB-së me Ministrinë e Arsimit, më 29.07.2024, të cilin e posedon KALLXO.com, MPB kishte thënë se punimet do të vazhdonin në Shkollën “Halil Alidema”, pasi ato kishin filluar pas një Kontrate të fazës së dytë, të lidhur në muajin shkurt 2024.

“Shkolla Fillore në Pozharan – Janë ndërprerë punimet nga OE (Operatori Ekonomik) dhe MPB ka ndërprerë Kontratën e I – rë dhe pas prerjes së punimeve është përgatitur specifikacioni teknik në bazë të cilës është proceduar në prokurim dhe është lidhur Kontrata e Fazës së II – të, më 13.02.2024. Punimet kanë filluar për Fazën e II – të nga data 29/07/2024 dhe do të vazhdojnë punimet.” – thuhet në përgjigjen e MPB-së për Ministrinë e Arsimit, më 29.07.2024.

Ndërsa Kërkesa e DKA-së – Viti duket se ka ngjallur keqkuptim te Ministria e Arsimit, pasi ata thonë se Komuna e Vitisë u kishte përmendur se Shkolla “Halil Alidema” “së shpejti” do të lëshohet në përdorim. Mirëpo, në këtë Kërkesë Komuna nuk është se ka përmendur ndonjë datë të caktuar të lëshimit të Shkollës në përdorim.

“Siç e dini kjo Shkollë është në përfundim të punimeve dhe sipas planifikimeve së shpejti do të lëshohet në përdorim, prandaj furnizimi me inventar, përkatësisht të furnizojë këtë institucion shkollor me 10 tabela shkrimi.” – thuhet në Kërkesën e drejtoreshës së Arsimit në Viti, Arta Ajeti, më 30.12.2024.

Kërkesa e DKA-së – Viti është protokoluar në Ministri të Arsimit, më 08.01.2025, pikërisht në ditën kur ministrja Nagavci kishte planifikuar ta përuronte Shkollën “Halil Alidema”, por që e anuloi.

KALLXO.com e ka pyetur Ajetin në lidhje me Kërkesën për inventar për Shkollën “Halil Alidema” në Pozhoran adresuar Ministrisë së Arsimit dhe ajo tha se kanë bërë Kërkesa të vazhdueshme për furnizim me banka, karrige, tavolina e tabela të shkrimit për Shkollën.

Ajeti ka thënë se Kërkesën e kanë dërguar në Ministri edhe në formë elektronike (email) dhe një kopje fizike të saj përmes arkivit në MASHTI. 

KALLXO.com e ka siguruar email-in e DKA-së – Viti që përmban Kërkesën për inventar, i cili është dërguar te sekretarja e përgjithshme në Ministri të Arsimit, Fadile Dyla dhe udhëheqësi i Divizionit për Planifikim dhe Standarde të Hapësirave Arsimore në Ministri të Arsimit, Isuf Gashi.

Tutje, Ajeti ka shtuar se nxënësit e Shkollës “Halil Alidema” e kanë nisur Gjysmëvjetorin e dytë, më 08.01.2025, në Shkollën “Kongresi i Manastirit” në Pozhoran, derisa kanë përfunduar punimet në Shkollën “Halil Alidema”, më 16.01.2025.

“MASHTI ka bërë furnizimin e Shkollës me inventar shkollor – duke përfshirë edhe tabela shkrimi – mirëpo gjatë kompletimit me inventar të objektit shkollor kemi parë të nevojshme furnizimin edhe me 10 tabela shkrimi.” – është përgjigjur Ajeti, më 24.01.2025.

Sipas Ajetit Komuna e Vitisë nuk e ka konsideruar në këtë kohë përurimin e Shkollës “Halil Alidema”, për shkak të fushatës zgjedhore, që të mos përdoret për qëllim të përfitimit elektoral dhe për këtë e kanë njoftuar edhe Ministrinë e Arsimit.

“Duke u mbështetur në kërkesat e Këshillit të Prindërve të Shkollës “Halil Alidema”, Këshillit të Fshatit Pozhoran, se tanimë janë krijuar kushtet për vendosjen e një busti të patriotit dhe atdhetarit Halil Alidema – emër që mban edhe kjo Shkollë, përmes shkresave të tyre ata kanë kërkuar që të organizohet eventi në të ardhmen, ku do të përurohej edhe busti, edhe Shkolla. Pikërisht, në Ditën e Shkollës, më 19.05.2025, me këtë është njoftuar edhe MASHTI-i.” – ka njoftuar Ajeti.

Përveç përurimit të Shkollës “Halil Alidema”, Nagavci kishte planifikuar edhe prerjen e shiritit për Çerdhen në Dobresh, që po ashtu u anulua.

Nga viti 2019, KALLXO.com kishte raportuar për ndërtimin e Shkollës “Halil Alidema” në Pozhoran. Në atë kohë, Ministria e Administratës Publike kishte njoftuar se ndërtimet nuk priteshin të përfundojnë deri kah mesi i vitit të ardhshëm (2020).

Tërmeti që e goditi Shqipërinë më 26.11.2019 u ndie edhe në Kosovë dhe Shkolla e Pozharanit, në të cilën mësonin mbi 480 nxënës, pësoi dëmtime.

KALLXO.com kishte raportuar më 23.10.2020 se kryetari i Komunës së Vitisë Sokol Haliti kishte premtuar ndërtimin e Shkollës “Halil Alidema” në Pozhoran, që nga viti 2016.

Ne debatin “Jeta në Komunë” përballë Jeta Xharrës, Haliti kishte arsyetuar mospërfundimin e punimeve për objektin e ri të kësaj Shkolle, i cili nuk ishte funksionalizuar as në vitin 2020.

“Ka Shkollë të re. Shkolla e re vetëm pritet të finalizohet. Buxhet i madh ka qenë për Komunën e Vitisë. Ministria e Arsimit ka qenë investitor dhe ia ka bartur Ministrisë së Administratës Publike. Ende nuk është kryer. Plani dinamik është tejkalu.” – kishte deklaruar Haliti, më 23.10.2020.