Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Lumir Abdixhiku, më 29.01.2025 ka mbajtur tubim elektoral në Prizren.
Ai ka thënë se në këtë rrugë të re LDK-ja e ka për detyrë që të ëndërrojnë shumë, e të fitojnë me dinjitet.
Teksa ka kritikuar Qeverinë aktuale, lideri i LDK-së premtoi para qytetarëve të Prizrenit ndërtimin e çerdheve të reja dhe një sërë investime të tjera.
“Do të ndërtojmë tetë çerdhe të reja, do të ju ndihmojmë në mësim tërëditor që fëmijët të qëndrojnë 8 orë në shkollë. Një stadium modern të futbollit do ta keni për qytetin tuaj të bukur. Mbi 10 milionë euro për spitalin tuaj”- u shpreh ai.
Ai ka përseritur zotimin për investime e rritje të koeficientit të pagave.
“Në programin tonë kemi 5 miliardë euro investime. Që në javën e parë, të gjithë shërbyesve publikë në Kosovë do t’u rriten pagat me koeficient 150 euro. Do e ndërtojmë Spitalin e ri të Kosovës. Me pajisje të reja, trajtim modern i njerëzve tanë”- tha ai.
“Për një kohë të gjatë e kemi parë vendin tonë teksa humb mundësitë e destinuara nga historia, që zhytet në ndarje e përçarje të brendshme. Kësaj marrëzie kolektive duhet t’i dalim në ballë të gjithë, kjo nuk është Kosova jonë”- ka shtuar Abdixhiku.
Mësimi tërëditor aktualisht po aplikohet në disa shkolla në Prishtinë, dhe vlen për nxënësit e klasave 1-5.
Mësimi fillon në ora 07:45 deri rreth orës 15:00. Gjatë kësaj kohe, nxënësit kanë një shujtë të drekës, e cila është e financuar nga Komuna.
Me fillimin e vitit shkollor 2024/2025, më 02.09.2024, mësimin tërëditor e kanë implementuar dhe vazhdojnë me këtë formë të mësimit dy shkolla fillore të mesme të ulëta në kryeqytet – Shkolla Model “Qamil Batalli” dhe “Shkolla e Gjelbër”.
Lumir Abdixhiku, kandidat i LDK-së për kryeministër në një intervistë për “Kallxo Përnime” ka thënë se Vetëvendosja është pozicionuar kundër mësimit gjithëditor në shkollat e Prishtinës.
Ai ka thënë se Vetëvendosja është munduar të ndërpresë këtë reformë që po realizohet në pesë shkolla të Prishtinës përmes një rregulloreje.
Fushata për zgjedhjet parlamentare në Kosovë ka filluar zyrtarisht më 11.01.2025.
Partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.
Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:
– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;
– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.