Kandidatja për deputete nga PDK-ja, Ariana Musliu-Shoshi, gjatë diskutimit në “Debat Përnime”, më 28.01.2025, tha se brenda partisë i kanë diskutuar disa pika të Marrëveshjes së Uashingtonit, të cilën e kishte nënshkruar ish-kryeministri, Avdullah Hoti, në Shtëpinë e Bardhë, më 4 shtator të vitit 2020, në praninë e presidentit Donald Trump, i cili asokohe ishte në mandatin e parë presidencial.
Musliu-Shoshi tha se marrëveshjet që vijnë nga SHBA-të, asnjëherë nuk i kanë sjellë dëm Kosovës, megjithatë në Marrëveshjen e Uashingtonit, janë disa pika për të cilat është diskutuar.
“Aty janë disa pika që ne i kemi diskutuar si Parti Demokratike. Kjo nuk është një Marrëveshje e cila kërkohet të zbatohet me qeverisjen e re automatikisht. E kemi parasysh që prioritetet e politikës së jashtme të SHBA-së nuk janë më të njëjta”- tha Musliu-Shoshi.
Tutje për këtë, kandidatja Musliu-Shoshi, tha se politikat kanë ndryshuar edhe në rajon dhe ndryshime do të ketë edhe në të ardhmen e shtetit të Kosovës, mirëpo negocimet me SHBA-në do të vazhdojnë të jenë të ngushta.
“Politika në rajon dhe më gjerë ka ndryshuar. Në situatën aktuale që është rajoni dhe bota, do të ketë ndryshime edhe sa i përket të ardhmes së shtetit tonë. Ne do të kemi negociim dhe bashkëpunim të ngushtë me ta”- tha ajo.
Ndërsa kur u pyet se cili është qëndrimi i PDK-së, nëse kërkohet që pjesë e marrëveshjes të jetë edhe Ujmani, Musliu-Shoshi u përgjigj: “Me një bashkëpunim të ngushtë që do të kemi me administratën Trump, patjetër që do të shohim se çfarë do të bëjmë”.
E nëse e njëjta kërkesë do jetë edhe për Trepçën, Musliu-Shoshi tha: ”Nëse ne si grup e shohim që Trepça do të jetë temë e diskutimit, atëherë do të kemi vendime konkrete dhe të sakta”.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.
RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Jeta Xharra, drejtuese e “DebatPërnime” tha në nisje të debatit për politikën e jashtme se “Donika Gërvalla si ministre e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca si kryetar i Kuvendit, Vjosa Osmani si presidente, deri tani edhe komplet Qeveria Kurti 2, me gjithë respektin ndaj tyre, janë udhëheqësi e parë pas shpalljes së Pavarësisë që po e përfundon mandatin e plotë pa asnjë njohje të vetme”.
Për më shumë lexoni në linkun në vijim:
https://kallxo.com/gjate/fuqizimi-i-marredhenieve-me-aleatet-shtimi-i-njohjeve-dhe-anetaresimet-zotimet-e-pdk-se-per-politiken-e-jashtme/