Presidenti amerikan, Donald Trump ka bërë të ditur se ka nënshkruar katër Urdhra Ekzekutivë që do të riformësojnë Ushtrinë – përfshirë ndalimin e shërbimit për pjesëtarët transgjinorë në forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës – duke davaritur Programet e diversitetit, barazisë dhe përfshirjes në Ushtri (DEI) dhe duke rikthyer pjesëtarët me pagesë të cilët ishin shkarkuar për shkak se kishin refuzuar të vaksinoheshin kundër COVID-19 – raporton televizioni amerikan CNN.
Trump ka thënë, gjatë kthimit me aeroplanin “Air Force One” nga Florida në Uashington, se i kishte nënshkruar Urdhrat. CNN-i kishte raportuar më parë se Trump pritej t’i ndërmerrte këto masa – bazuar në informacione që ishin siguruar prej zyrtarëve brenda Shtëpisë së Bardhë.
Urdhrat, për të cilët së pari raportoi “New York Post” kanë ardhur në kohën kur kandidati i Trumpit për t’i prirë Pentagonit, Pete Hegseth po betohej si Sekretar i Mbrojtjes, të shtunën. Hegseth ka thënë kaherë se planifikonte të rrënjoste ndryshime të mëdha kulturore në Ushtrinë amerikane.
Disa momente pas arritjes të hënën në Pentagon, Hegseth u deklaroi reporterëve se ka edhe “Urdhra të tjerë që do të vijnë”.
“Sot, ka më shumë Urdhra Ekzekutivë që do të merren… për heqjen e DEI-it brenda Pentagonit, rikthimin e trupave që ishin larguar për shkak të mandateve të COVID-it, kupolën e hekurt për Amerikën – kjo po ndodh shpejt e shpejt dhe si Sekretar i Mbrojtjes është nder të përshëndetësh me zgjuarsi, sikur kam bërë unë si Oficer Junior dhe tani si Sekretar i Mbrojtjes, që të sigurohem që këta Urdhra të përmbushen shpejt e shpejt.” – ka deklaruar Hegseth.
Trump u kishte ndaluar amerikanëve transgjinorë të shërbenin në Ushtri më 2017 gjatë Administratës së tij të parë, por pastaj ish-presidenti Joe Biden lëshoi një Urdhër më 2021 që e shfuqizonte këtë ndalesë.
Disa orë pas betimit javën e kaluar për mandatin e dytë, Trump nënshkroi një Urdhër që shfuqizonte Vendimin e vitit 2021 të Administratës së Bidenit, për t’i lejuar pjesëtarët transgjinorë që të shërbenin në Ushtri.
Sidoqoftë Urdhri, që Trump ka bërë të ditur të hënën se e ka nënshkruar, shkon edhe më larg dhe përcakton standarde të reja lidhur me pjesëtarët transgjinorë dhe thekson se gatishmëria fizike dhe mendore kërkon që pjesëtarëve transgjinorë t’u ndalohet shërbimi në Ushtri.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com