Ballina

Trump thotë se Microsoft-i është në bisedime për blerjen e TikTok-ut

Presidenti amerikan, Donald Trump u tha gazetarëve se kompania Microsoft është në bisedime për blerjen e TikTok-ut – duke shtuar se do të dëshironte të shihte një betejë ofertash për këtë aplikacion.

Kompania e teknologjisë, Microsoft nuk ka komentuar për këtë pohim të Trumpit. As TikTok e as ByteDance, që ka pronësi aplikacionin, nuk kanë komentuar po ashtu.

TikTok, që ka afër 170 milionë përdorues amerikanë, përkohësisht u ndalua para se Ligji që i kërkon pronarit kinez ByteDance ta shiste ose do të ndalohej në Shtetet e Bashkuara të hynte në fuqi më 19.01.2025.

Pasi mori mandatin e Presidentit më 20.01.2025, Trump nënshkroi një Urdhër Ekzekutiv duke kërkuar shtyrjen për 75 ditë të zbatimit të Ligjit, i cili thirret në shqetësimet për sigurinë kombëtare.

Trump tha javën e kaluar se ai ishte duke biseduar me disa njerëz lidhur me blerjen e TikTok-ut dhe do të dëshironte që Vendimi për të ardhmen e aplikacionit popullor të merrej brenda 30 ditësh.

Presidenti amerikan ka thënë më herët se është i hapur që miliarderi Elon Musk ta blejë aplikacionin, nëse pronari i Tesla-s dëshiron ta bëjë një gjë të tillë. Megjithatë, Musk nuk ka komentuar publikisht këtë deklaratë të presidentit Trump.

Kjo është hera e dytë që Microsoft-i lidhet me blerjen e mundshme të TikTok-ut.

Gjatë mandatit të parë si President, Trump kishte kërkuar që TikTok-u të ndante versionin për SHBA-në nga ByteDance – duke u thirrur në shqetësime të sigurisë kombëtare.

Më 2020 Microsoft ishte ofertuesi kryesor, por bisedimet për blerjen e aplikacionit dështuan./REL