Kandidatja për deputete nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka shprehur qëndrimet e partisë së saj në lidhje me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, dhe kontratën për konsulencë të Gani Jakupit me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Në “Debat Përnime”, ajo tha se nuk ka ndodhur asnjëherë prej se është në politikë që një diplomat në një shtet kredibil ta vazhdoj mandatin e tij përkundër “aferave të shumta korruptive”.
Deliu-Kodra u zotua se me “ardhjen e PDK-së në pushtet” nuk do të ketë raste të tilla që e “dëmtojnë kredibilitetin e Kosovës”.
“Absolutisht, Partia Demokratike e Kosovës, ose kryeministri i ardhshëm Bedri Hamza, nuk do të lejojnë të ketë persona që janë të përfshirë në afera të tilla korruptive dhe të dëmtojnë kredibilitetin e Kosovës”- tha ajo.
Njëjtë u diskutua edhe për kontratën e Gani Jakupit, të cilën Ministria e Punëve të Jashtme e kishte kontraktuar si konsulent të jashtëm.
Sipas dokumentit, çmimi i tërësishëm i kësaj kontrate ka qenë 90 mijë euro bruto dhe ësjhtë paguar në 12 këste, nga 7 mijë e 500 euro.
“Partia Demokratike e Kosovës qysh në fillim të mandatit do t’i shfuqizoj të gjitha kontratat të cilat e kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës”, tha Deliu-Kodra.
Ndërsa, kandidatja Ariana Musliu-Shoshi, u përgjigj se cfarë do të bëjnë me ambasadorët e emëruar gjatë Qeverisë Kurti.
“Këta ambasadorë të cilët kanë kaluar, janë ambasadorë puro politik dhe janë pjesë e shumë organeve të LVV-së. A do të shkarkohen, varet nga kualiteti i punës se tyre që kanë treguar sa janë në mandat politik”- tha Musliu-Shoshi.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.
RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” tha në nisje të debatit për politikën e jashtme se “Donika Gërvalla si ministre e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca si kryetar i Kuvendit, Vjosa Osmani si presidente, deri tani edhe komplet Qeveria Kurti 2, me gjithë respektin ndaj tyre, janë udhëheqësi e parë pas shpalljes së Pavarësisë që po e përfundon mandatin e plotë pa asnjë njohje të vetme”.
Për më shumë lexoni në linkun në vijim:
https://kallxo.com/gjate/fuqizimi-i-marredhenieve-me-aleatet-shtimi-i-njohjeve-dhe-anetaresimet-zotimet-e-pdk-se-per-politiken-e-jashtme/