Përreth dy vjet angazhim institucionet e Kosovës kanë arritur të zbulojnë më pak se 30 mbetje mortore të personave të zhdukur. Rezultatet janë edhe më të vogla në pjesën e Serbisë, ku ekzaminimet në lokacionet e dyshimta nuk janë realizuar gjatë vitit 2024.
Një ekip i hetimeve të krimeve të luftës është krijuar në Policinë e Kosovës. Ata asistojnë autoritetet në rastet e hetimeve për të pagjeturit dhe ndihmojnë në procesin e zhvarrimeve.
Florim Elshani nga kjo Njësi thotë se përgjatë vitit 2023 dhe 2024 Policia ka marrë pjesë në 36 raste të zhvarrimeve në Kosovë.
“Në të gjitha rastet e trajtimit të personave të pagjetur në eksomime marrim pjesë bashkarisht me IML-në, për arsye se Urdhëresa e lëshuar nga Gjykata na obligon dhe domethënë të gjitha rastet në dy vjetët e fundit, domethënë në vitin 2023 janë 21 lokacione ku kemi eksomu. Prej tyre i kemi 15 gjetje të reja dhe disa prej tyre janë edhe ribashkime, ndërsa këtë vit (2024) në 15 lokacione kemi eksomu.” – thotë Elshani.
Raportet nga këto ekzaminime dërgohen më pas në Prokurorinë Speciale. Aty prokurori Ilir Morina thotë se procesi mund të zgjasë deri në 5 vjet.
“Janë 15 procedura të cilat fillojnë. Përfundimi i tyre nuk është çështje që kryhet shpejt. Merr shumë kohë. Merr më shumë se një vit. Mundet me ndodh më shumë se 5 vjet. Sepse, janë raste të natyrës shumë komplekse. Për shembull, në momentin që në një rast të caktuar Policia merr informacionin për gjetjen mortore të eshtrave, aktivizohet IML-ja, Policia e të tjera, bëhet marrja e sendeve nga vendi ku gjenden. Pastaj dërgohen në IML dhe aty është një mori ekzaminimesh mjeko-ligjore që kryhen ekspertiza, për të cilat secila prej tyre kërkon kohën e vet. Prandaj është shumë vështirë me dhënë një përgjigje se prej krejt këtyre rasteve, sa kemi pasë rezultat ose jo, por janë çështje që janë duke u proceduar.” – ka thënë prokurori Morina.
Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML) përgjatë vitit 2023 ka qenë i përfshirë në 22 aktivitete fushore, si i quajnë ato, në të cilat janë gjetur 16 trupa dhe 17 pjesë trupore.
Ndërsa në vitin 2024 kanë qenë të përfshirë në 24 aktivitete fushore, mirëpo sipas IML-së numri i gjetjeve ka qenë shumë më i vogël.
Ditor Haliti, zëvendësdrejtor në këtë Institut, thotë se për autoritetet e Kosovës është e qartë se ende shumë trupa janë në territorin e Serbisë.
“Ne kemi gjetë mbetje kockore të fragmentuara në varrezë primare në Kosovë, të cilat janë identifikuar, por që mungon trupi kryesor. Automatikisht kjo na bën me dije që pjesa tjetër e mbetur e trupit është në varrezën sekondare në Beograd. Për neve është e qartë që ka ende shumë trupa të cilët janë në territorin serb. Krejt çka duhet është që Beogradi të pajtohet të bashkëpunojë, të hapë arkivat apo thjeshtë të tregojë ku janë këta trupa dhe natyrisht ne jemi të gatshëm të shkojmë së bashku dhe të punojmë.” – ka thënë Haliti.
Qindra persona të vrarë në Kosovë u zbuluan në varrezat masive në Serbi, që nga përfundimi i luftës. Procesi i verifikimit të informacioneve për mbetje të tjera në Serbi tash është i bllokuar.
Andin Hoti nga Komisioni Qeveritar për Personat e Pagjetur përmend disa lokacione në territorin serb, ku dyshohet se ka ende trupa.
“Deri më sot Serbia ka pranu, por nuk kemi fillu punën. Kështu që nuk po muj me thënë që kemi fillu punën, mirëpo edhe këto janë, nëse arrijmë me u qas edhe nëse arrijmë me gjetë varrezat masive në këtë lokacion, që është Kozhlje dhe nëse arrijmë me i gjet trupat që ne po i pretendojmë që kanë mbet në Batajnicë, atëherë mendoj që është diçka që mund të veçohet.” – thotë Hoti.
“Por ne në vazhdimësi po i bëjmë presion Serbisë, sepse jemi të bindur, nuk po them që jemi të sigurt, por jemi të bindur në bazë të trajtimit të informatave që i kemi, që në Batajnicë sidomos kanë mbetë një pjesë e caktuar e mbetjeve mortore të patrajtuara ose të pazhvarrosura në vitet 2000 – në fillim atëherë kur është trajtu ky lokacion”.
Natasha Kandiq nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi thotë se është njoftuar për identifikimin e një lokacioni në afërsi të fshatit Kozhlje në Serbi, por diçka konkrete nuk ka.
Ajo thotë se ende nuk ka një bashkëpunim të rëndësishëm në mes të Kosovës dhe Serbisë, për trajtimin e rasteve.
“Është shpallur bastisja e deponisë ‘Golo Brdo’ në afërsi të fshatit Kozhlje, ndërmjet Novi Pazarit dhe Tutinit, afër kufirit me Kosovën. Aktualisht ka zhvarrosje të civilëve shqiptarë në Kosovë.” – thotë Kandiq.
“Megjithatë, nuk ka bashkëpunim të rëndësishëm në ndjekjen penale të krimeve të luftës apo zgjidhjen e çështjes së të pagjeturve. Të dyja çështjet ndikojnë drejtpërdrejt në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe derisa këto të bëhen prioritete do të jetë e vështirë t’i afrohemi normalizimit, paqes dhe pajtimit.”
Së fundmi, në dhjetor të vitit 2024, Kosova dhe Serbia përmes përfaqësuesve të tyre në Dialog janë pajtuar për zbatim të plotë për Deklaratën për Personat e Zhdukur. Agjencia e Statistikave të Kosovës në regjistrimin e fundit të popullsisë tregoi se nga lufta e fundit janë zhdukur 1 mijë e 407 persona, janë plagosur 6 mijë e 682, janë burgosur 3 mijë e 312, si dhe kanë pësuar torturë, dhunë, pasoja psikologjike 193 mijë e 765 njerëz.
Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë konsiderohen të zhdukur ende edhe 1 mijë e 636 persona, kurse Komisioni Qeveritar për Personat e Pagjetur thotë se janë të pagjetur edhe 1 mijë e 595 persona.