Policia suedeze ka bërë të ditur të martën, më 28.01.2025, se ka arrestuar një burrë i cili po mundohej të hynte me forcë me një makinë nëpër portat e Ambasadës ruse në Stokholm, mëngjesin e sotëm – raporton Agjencia e lajmeve Reuters.
Policia ka bërë të ditur se burri 45 vjeç ka dështuar në përpjekjen e tij dhe se është arrestuar nga autoritetet e rendit. Ai është arrestuar si i dyshuar për “shkelje të rëndë”. Policia nuk ka dhënë më shumë hollësi për identitetin e burrit.
Një zëdhënës policie ka bërë të ditur se nuk ka indikacione të menjëhershme për motivin e mësymjes dhe se në makinë nuk kishte asgjë të dyshimtë.
Reutersi nuk ka pasur mundësi që të merrte menjëherë një deklaratë prej Ambasadës ruse në Suedi.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com