Ballina

Hamza premton funksionalizimin e linjës hekurudhore Klinë – Prizren

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, më 28.01.2025 ka mbajtur tubim me qytetarë më Klinë.

Hamza ka premtuar përfundimin e autostradës për Pejë dhe të unazës që lidh rrugët Klinë-Skenderaj dhe Klinë-Istog.

Po ashtu ka premtuar funksionalizimin e linjës hekurudhore Klinë-Prizren.

“Kështu siç ju gjeta sonte Klinë, me plot entuziazëm, me plot energji për fitoren, kështu dua të jeni më 9 shkurt dhe gjithmonë. Autostradën për Pejë, e cila kalon kah Klina, do ta përfundojmë. Unazën e re që lidh rrugët Klinë – Skenderaj dhe Klinë – Istog do ta ndërtojmë. Edhe linjën hekurudhore Klinë – Prizren do ta bëjmë funksionale dhe do ta elektrifikojmë rrjetin hekurudhor në krejt Kosovën. Jemi bashkë për Kosovën që mundet ma mire”- ka shkruar Hamza në Facebook.

Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.