Ballina

Aktakuzë ndaj një serbi për dhunë seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë

Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka ngritur Aktakuzë ndaj C.K., i nacionalitetit serb për “krime lufte kundër popullatës civile gjatë vitit 1998-1999 në Kosovë”.

Gjykimi është propozuar që të mbahet në mungesë, pasi që sipas Prokurorisë i akuzuari është i paarritshëm për organet e Drejtësisë.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari ka kryer dhunë seksuale si krim i luftës ndaj një viktime grua, të nacionalitetit shqiptar.

“Prishtinë, 28 janar 2025 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas zhvillimeve të hetimeve, ka ngritur sot Aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ndaj të pandehurit me inicialet C.K, i nacionalitetit serb, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale: ‘krim i luftës kundër popullsisë civile’, e sanksionuar me Nenin 142, lidhur me Nenin 22 të RSFJ-së. Hetimet kanë vërtetuar se gjatë periudhës kohore të luftës në Kosovë gjatë vitit 1998-1999, i pandehuri ka kryer dhunë seksuale si krim i luftës ndaj një viktimë të nacionalitetit shqiptar. Në mbështetje të Neneve 234, Par.2 dhe 303, Par. 7 të KPP-së, Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës që të mbajë gjykimin në mungesë për shkak se i pandehuri C.K është i paarritshëm për organet e Drejtësisë, kurse janë plotësuar kushtet ligjore nga Neni 234 i KPP-së, për ngritjen e Aktakuzës në mungesë.” – thuhet në njoftimin e lëshuar nga Prokuroria Speciale, më 28.01.2025.

Numri i saktë i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë nuk dihet. Sipas një Raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kjo shifër arrin deri në 20 mijë.

Kurse Qendra e Kosovës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka të dhëna për rreth 900 viktima.

Sipas një Raporti të QKRMT-së, që nga viti 2019 ka nisur dokumentimin e përdhunimeve të kryera nga forcat serbe gjatë luftës, bëri të ditur se nga 900 raste të dokumentuara deri tash, 15% e tyre janë të moshës nën 18 vjeç.

Në Kosovë çdo 14 prill shënohet Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit. Kjo ditë, sipas autoriteteve, është shpallur për “ta njohur dhimbjen” e të gjithë të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës dhe për t’i kontribuar kujtesës kolektive.

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe për “krime kundër njerëzimit”, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë.

Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit” të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

Gjykimi i tij në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog, pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli – teksa po mbahej në paraburgim.

Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për “krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë”.

Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.