Ballina

Policit të dyshuar për aksidentin me fatalitet i caktohet masa e ndalimit për 48 orë, aktualisht gjendet duke u trajtuar në Spital

Polici i cili dyshohet se ishte duke vozitur dhe nga mospërshtatja e shpejtësisë shkaktoi aksidentin me fatalitet në rrugën Mitrovicë-Pejë në fshatin Çubrel, ku mbetën të vdekur tre persona, i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Por këtë masë polici do ta mbajë në Spital, për shkak se është duke u trajtuar pas lëndimeve që ka marrë në aksidentin që ndodhi më 26.01.2025, rreth orës 19:00 në mbrëmje.

KALLXO.com ka kontaktuar me zëdhënësin e IPK-së Arbër Beka, i cili konfirmoi vendimin për ndalimin.

“Parimisht, Prokurori i ka caktuar vendimin për ndalim, por polici vazhdon që të jetë në Spital në trajtim mjekësor.” – tha Beka.

KALLXO.com mëson në anën tjetër se zyrtarët policorë janë të Njësisë Speciale Kufitare nga Peja dhe të njëjtit ishin duke shkuar në punë në Mitrovicë.

Në aksidentin në Çubrel një burrë dhe dy gra vdiqën, ndërsa katër policët që ishin me automjetin e Policisë duke udhëtuar kanë marrë lëndime trupore.

Inspektorati Policor i Kosovës, sot më 27.01.2025, njoftoi se kanë rekomanduar suspendimin e policit, si masë administrative fillestare për të trajtuar aksidentin që u regjistrua.

Në njoftimin e IPK-së thuhet edhe se deri tek aksidenti erdhi mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës në të cilën ishin duke udhëtuar zyrtarët policorë dhe në një rast rruga kalon në korsinë tjetër dhe godet veturën civile.

Kryetari i Skenderajt Fadil Nura ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave.

“Situata është rënduar pas aksidentit në Çubrel, me tri viktima deri tani të konfirmuara nga Policia e Kosovës. Thellësisht i prekur nga ky aksident ku u shuan tri jetë. Zoti ua lehtësoftë dhimbjen familjeve!”- kishte shkruar Nura.

Për rastin kishte shkruar edhe Kryeministri i Kosoves, Albin Kurti.

“Lajmi për aksidentin e trafikut ku 3 persona humbën jetën në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë na jep dhimbje të madhe… Konsideroj se shumë shpejt do të kemi një pasqyrë edhe më të plotë për rastin, ndërkohë që marr shkas për të bërë thirrje për kujdes të përgjithshëm në komunikacionin automobilistik, për të evituar sa më shumë fatkeqësitë”- kishte shkruar Kurti.

Për këtë aksident janë publikuar video te shumta edhe në TikTok (shih këtu dhe këtu), prandaj KALLXO.com e ka vizituar vendin ku ka ndodh aksidenti dhe detajet mund t’i shikoni në videon e bashkangjitur.

Shënim: Teksti është azhurnuar me informatat e reja për këtë rast.