Kandidati për deputet, Haki Abazi, gjatë emisionit “Debat Përnime”, më 27.01.2025, ka ritheksuar premtimin më të madh elektoral të Koalicionit AAK-Nisma, për anëtarësimin e vendit “direkt në NATO”, përmes planit aksional. Ndër tjera, ai përmendi edhe synimet për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Europian (BE) dhe në institucionet e tjera të rëndësishme ndërkombëtare.
Këto zotime, sipas Abazit, do të përmbushën në saje të “reformës së thellë” që ky koalicion e ka pararparë për politikën e jashtme.
“Reforma e thellë në Ministrinë e Jashtme dhe përbrenda saj janë katër shtylla kryesore: njohjet e reja, siguria dhe mbrojtja, marrëdhëniet tregtare dhe zhvillimi ekonomik si pjesë e politikës së jashtme dhe diplomacisë kulturore”- tha Abazi.
Pjesë e reformave të politikës së jashtme, sipas tij, do të jetë edhe emërimi i dhjetë emisarëve specialë të cilët do të angazhohen për njohje të reja dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Pesë prej këtyre emisarëve parashihen të jenë ndërkombëtarë dhe pesë të tjerë vendor.
“Ne planifikojmë t’i kemi 10 emisarë specialë për njohje, një për vendet e BE-së dhe [të tjerët] në kontinentet [tjera], pasi kemi vende që ende nuk e kanë njohur [Kosovën], e që duhet të kemi një angazhim special”- thotë Abazi.
Krahas zotimeve për një politikë të jashtme më konstruktive, ai bëri kritika për ish-partinë e tij që aktualisht është në pushtet- Lëvizjen Vetëvendosje.
Derisa tha se janë tejet të ‘brengosur’ për gjendjen e Kosovës në raport me ndërkombëtarët, Abazi shtoi se “për këto katër vite Ministria e Punëve të Jashtme, punoi me urdhëresa administrative dhe asnjë ligj të vetëm nuk e solli në parlament”.
Edhe pse ishte premtuar se qysh në vitin e parë do të sillej në Kuvend, Ligji për Shërbime Diplomatike, i cili do të rregullonte funksionimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, sipas kandidatit Abazi, kjo nuk ka ndodhur.
Ai pati kritika edhe për Komisionin parlamentar për punë të jashtme, i cili ishte nën udhëheqjen e tij për dy vite. Abazi pretendon se në këtë komision u votuan diplomat me ndikime politike dhe u refuzuan njerëz profesionist.
“Vendimet që janë marrë për diplomat janë bërë me qelës politik, [përfshirë] edhe ata që kanë kaluar përmes Komisionit për punë të jashtme, të cilin e kam udhëheq unë për dy vite. Po ashtu kanë qenë njerëz politik, duke i eliminuar të gjithë profesionistët dhe si rezultat asnjë njohje dhe asnjë progres në anëtarësim në mekanizma ndërkombëtarë e institucione ndërkombëtare, siç janë UNESCO, INTERPOL”- tha Aabazi.
Madje për punën e këtij komisioni, Abazi foli edhe më në detaje. “Kemi pasur raste të shkruara me dokumentacion në Komisionin e Punëve të Jashtme, që është i obliguar sipas ligjeve dhe Kushtetutës, që të bëjë intervistimin e kandidatëve të cilët nuk e kanë kaluar këtë procedurë dhe është tejkaluar vendimi i Komisionit për punë të jashtme për shkak të lidhjeve politike”- thotë ai.
Në debat u diskutua edhe mungesa e kontratave me SHBA-në, që sipas Abazit, janë domosdoshmëri për ta mbajtur në fokus çështjen e Kosovës, qoftë për njohje të reja apo për anëtarësim të Kosovës në NATO.
Tutje, Abazi përmendi edhe vizitën e fundit që kishte me kandidatin për kryeministër Ramush Haradinaj në SHBA për inaugurimin e presidentit amerikan, Donald Trump.
“Kemi pas një vakum të plotë. Unë para disa ditësh u ktheva nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjendja jonë atje është në alarm për shkak të vakumit të plotë, keqpërdorimit të marrëdhënieve që kemi pas me SHBA-në dhe mungesës së plotë të sinqeritetit me të cilën kryeministri e ka udhëhequr politikën e jashtme bashkë me zonjën Gërvalla”- tha ai.
“DebatPërnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.
RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Jeta Xharra, drejtuese e “DebatPërnime”, në nisje të debatit ku u diskutua për politikën e jashtme tha se “Donika Gërvalla si ministre e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca si Kryetar i Kuvendit, Vjosa si Kryetare, deri tani edhe komplet Qeveria Kurti2, me gjithë respektin ndaj tyre, janë udhëheqësia e parë pas shpalljes së Pavarësisë që po e përfundon mandatin e plotë pa asnjë njohje të vetme”.
Për më shumë lexoni në linkun në vijim:
https://kallxo.com/gjate/angazhim-te-emisareve-speciale-per-njohje-dhe-dergim-te-draftit-te-asociacionit-ne-kushtetuese-plani-i-koalicionit-aak-nisma-per-politiken-e-jashtme/