Kandidati për deputet nga AAK-Nisma, Labinot Gjini, i cili ka jetuar 37 vjet në Francë, por është kthyer të jetojë në Kosovë që tri vjet, ka theksuar rëndësinë e përfaqësimit të diasporës, duke propozuar që të sigurohen 20 ulëse për ta në Kuvendin e Kosovës.
Ideja që ai shtroi është këto vende të zëvendësohen me ato të komuniteteve joshumicë. Këtë ide, ai e ka paraqitur si koncept të tij, e jo si pjesë të programit të AAK-së, por nuk e ka përjashtuar mundësinë që një ide e tillë mund të bëhet pjesë e programit të Koalicionit AAK-Nisma.
Ai sugjeroi që diaspora të ketë përfaqësues të vetë dhe mundësinë e një vote të dyfishtë.
Gjini gjithashtu u shpreh se 20 ulëset për minoritetet nuk kanë më kuptim, pasi ato janë krijuar pas luftës për integrimin e grupeve të caktuara.
“Duhet të kthehet Ministria e Diasporës, por unë do kisha thënë diçka edhe më ndryshe. Diasporës duhet t’i ndahen njëzet ulëse në Kuvend, dhe ata të kenë udhëheqësit e vetë, një votë të veçantë, mund ta bëjmë me votë të dyfishtë, por të paktën të kenë përfaqësuesit e vetë nga mërgata. Ato ulëse ose mund të merren – gjë që sot nuk ka sens që të kemi 20 ulëse për minoritetet”- tha Gjini në “Debat Përnime”, më 27.01.2025.
Nga numri prej 20 ulëseve të garantuara në Kuvendin e Kosovës, dhjetë janë për përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë, ndërkaq dhjetë ulëse të tjera janë për pakicat joserbe. Ulëset për komunitetet joshumicë në Kosovë në fakt janë ta garantuara me Kushtetutë, kështuqë ndryshimi i një gjëje të tillë nënkupton edhe ndryshim të Kushtetutës. Gjini tha se një gjë e tillë mund të ndërrohet në bashkëpunim me minoritetet.
Kur nga ekipi i “Debat Përnime”, u pyet disa herë se si do ta bëjnë këtë gjë përderisa për diçka të tillë kërkohet ndryshimi i Kushtetutës, Gjini u përgjigj se mund ta ndryshojnë sistemin.
“Në atë moment që do të kemi siguri dhe jemi të anëtarësuar në mekanizma ndërkombëtarë, nuk është e pamundur të ndërrohet sistemi, sepse nuk ka sens më që t’i kemi 20 ulëse të minoriteteve”- tha ai.
Kurse, kur u pyet përsëri se a është kjo një ide e tij apo është pjesë e programit të AAK-së, Gjini u shpreh se në AAK e kanë lirinë që të shtojnë anekse në programin zgjedhor.
“Në Aleancë ne nuk e kemi një shef qysh është Dejona Mihali e cila na dikton programe, ide e koncepte. Zoti Haradinaj ka bërë me bashkëpunëtorët e tjerë në koalicion ku thotë se ky plan-program është bazë. Do të thotë ju mund të shtoni anekse sa të doni. Në qoftë se e them unë, o do të bëhet program, ose është në program”- u shpreh ai.
Në lidhje me këtë ide të bashkëpartiakut të tij, Haki Abazi, qartësoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO përmes planit të aksionit nuk ka lidhje me heqjen e ulëseve për minoritetet në Kuvend.
“Anëtarësimi në NATO është një proces që ka planin e aksionit të tij, por nuk ka asnjë lidhje me përfaqësimin e komuniteteve në Kosovë”, ka thënë Abazi.
Duke u munduar ta “përmirësojë” Gjinin, ai mohoi pohimet e tij për mundësinë e heqjes së ulëseve për minoritetet, duke theksuar se “jo, absolutisht nuk do të hiqen (ulëset e komuniteteve). [Gjini] Nuk e tha një gjë të tillë.”
Kurse Gjini, e arsyetoi deklaratën e tij duke thënë se Kosova duhet ta përmirësojë vazhdimisht infrastrukturën e saj.
“Nuk thashë se duhet t’i përjashtojmë, por në bashkëpunim me ta të gjejmë forma të reja, për shkak se i kemi tejkaluar format e vjetra”- tha ai.
Ai shtoi se Albin Kurti, “bashkë me emisarët e tij”, po tentojnë të ndajnë thellësisht shqiptarët e Kosovës nga ata të Shqipërisë.
Sipas tij, kjo ndarje fillon nga ambasadat, pasi ambasadat e Kosovës “ishin të papërvoja, të krijuara nga paslufta” dhe shërbimet konsullore janë ofruar “nën tutorialin e ambasadave shqiptare të Tiranës, të cilat ia kanë hapur derën, duke pasur parasysh që ato kishin një rrjet më të gjerë.”
Gjini gjithashtu ka theksuar se Kosova është e izoluar në politikën e jashtme sepse i “ka izoluar ambasadat e veta”.
Ai tha se nuk është kthyer të jetojë në Kosovë nga thirrjet kryeministrit Albin Kurti se në Kosovë është bërë më mirë, por për ta luftuar dhe çrrënjosë një Qeveri, që sipas tij, po e “vendos në zgafellë këtë vend dhe në greminën më të thellë prej pasluftës”.
“Nëse dikush e ka shkatërruar dhe është duke shkatërruar çdo marrëdhënie ndërkombëtare dhe çdo marrëdhënie ekonomike e tregun e lirë në Kosovë, ai është Albin Kurti”- tha ai.
“DebatPërnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.
RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Jeta Xharra, drejtuese e “DebatPërnime” tha në nisje të debatit për politikën e jashtme se “Donika Gërvalla si ministre e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca si kryetar i Kuvendit, Vjosa Osmani si presidente, deri tani edhe komplet Qeveria Kurti 2, me gjithë respektin ndaj tyre, janë udhëheqësia e parë pas shpalljes së Pavarësisë që po e përfundon mandatin e plotë pa asnjë njohje të vetme”.
Për më shumë lexoni në tekstin në vijim:
https://kallxo.com/gjate/angazhim-te-emisareve-speciale-per-njohje-dhe-dergim-te-draftit-te-asociacionit-ne-kushtetuese-plani-i-koalicionit-aak-nisma-per-politiken-e-jashtme/