Ballina

Aksidenti me tre të vdekur në Çubrel të Skenderajt: katër policë dhe një qytetar me lëndime të rënda 

Një aksident trafiku me fatalitet ka ndodhur në fshatin Çubrel të Skenderajt, në rrugën Mitrovicë-Pejë.

Policia ka konfirmuar se nga aksidenti mbetën të vdekur tre persona.

Sipas njoftimit të Policisë, dje më 26.01.2025, janë përfshirë dy vetura në aksident – njëra nga to ishte veturë e Policisë.

Ndërkaq, në Raportin policor, sot më 27.01.2025, bëhet e ditur se përveç një burri dhe dy grave të cilët kanë mbetur të vdekur nga ky aksident, lëndime të rënda trupore kanë pësuar katër policë dhe një qytetar.

Siç thuhet në Raport, të lënduarit janë dërguar në QKUK për tretman mjekësor, derisa trupat e pajetë të viktmave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminim. 

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante të Policisë, institucionet kompetente, IPK-ja dhe Prokurori i Shtetit.” – thekson Policia. 

Ndërkaq, për këtë rast, dje më 26.01.2025, edhe kryetari i Skenderajt Fadil Nura ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave.