Ballina

Abazi (AAK): Kosova duhet t’i përmbush obligimet nga dialogu në Bruksel

Kandidati për deputet nga Koalicioni AAK-Nisma, Haki Abazi, në kuadër të prezantimit të programit për politikën e jashtme, në emisionin “Debat Përnime”, ka folur për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.

Lidhur me këtë proces, sipas tij, qëndrimi i koalicionit AAK-Nisma, është përmbushja e të gjitha obligimeve për të cilat është dakorduar pala kosovare me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së.

“Krejt obligimet që Kosova i ka marrë duhet t’i zbatoj, sepse janë dakordime trepalëshe. Kur them trepalëshe, është Kosova, Bashkimi Europian dhe SHBA. Këto janë zotime që Kurti i ka bërë në Bruksel dhe në Ohër para BE-së dhe SHBA-së”- ka thënë Abazi, më 27.01.2025.

Në këtë kontekst, ai tha se marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, duhet sa më shpejtë të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim, me qëllim që t’i hapen Kosovës rrugët për anëtarësime dhe për çështje të tjera.

“Nëse këto zotime janë ndërkombëtare, çfarë edhe janë, duhet t’i bëjmë me sa më pak dhimbje për Kosovën dhe duke i besuar plotësisht Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, përfshirë edhe statutin e Asociacionit, i cili me shpejtësi duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim, për t’ia hequr ‘lakun edhe kurthin’ Kosovës dhe për t’ia hapur rrugët e negociatave me katër vendet e NATO-s që nuk e kanë njohur Kosovën”- tha ai.

Ndërsa, kandidati tjetër për deputet, Fatmir Matoshi tha se politika e jashtme është e lidhur edhe me dialogun me Serbinë, mirëpo qasja e Qeverisë Kurti ndaj dialogut, sipas tij, e ka sjellë Kosovën në një situatë jo të mirë.

“Tallja me dialogun edhe përdorja e dialogut për poena politik e popullizëm, normalisht që e ka sjellë Kosovën në këtë situatë. LVV-ja për këto katër vite, dialogun e ka përdor me ba foto …, e ka përdor për popullizëm në seancat e Këshillit të Sigurimit t’u fol me gjuhën që e rritë Vuçiqin në Serbi, ndërsa ai t’u ia kthy me po të njëjtën gjuhë për me e rritë me popullizëm Kurtin në Kosovë”- tha Matoshi.

Për të ilustruar “gjendjen jo të mirë në politikën e jashtme”, ai e ka përmendur rastin e ambasadorit Martin Berishaj, të cilin presidentja Vjosa Osmani, në vizitën e saj në Kroaci nuk ka pranuar ta këtë në shoqërim.

Mirëpo, sipas kandidatit Matoshi, këtë gjendje e kanë krijuar vetë presidentja dhe Qeveria.

“Partia në pushtet edhe presidentja e kanë ndërtuar vetë këtë lloj diplomacie dhe në mungesë të politikës së jashtme vendosin agjentë tregtarë të energjisë elektrike nëpër pozita të ambasadorëve”- tha Matoshi.

Kur u pyetën se a do të shkarkohet ambasadori Berisha nëse AAK-Nisma vijnë në pushtet, Haki Abazi u përgjigj se “AAK nuk e ndjekë askënd politikisht për veprimet jolegale që ka bërë”. “Ne inkurajojmë prokurorin ta përfundoj këtë tregim sa vjeçar se çfarë ka ndodhur me atë transfer financiar, a ka qenë apo s’ka qenë ky emër i përfshirë në tregtinë e energjisë me Serbinë”, tha ai.

“DebatPërnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.

RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” tha në nisje të debatit se “Donika Gërvalla si ministre e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca si Kryetar i Kuvendit, Vjosa Osmani si Kryetare, deri tani edhe komplet Qeveria Kurti2, me gjithë respektin ndaj tyre, janë udhëheqësia e parë pas shpalljes së Pavarësisë që po e përfundon mandatin e plotë pa asnjë njohje të vetme”.

Për më shumë lexoni në tekstin në vijim:

https://kallxo.com/gjate/angazhim-te-emisareve-speciale-per-njohje-dhe-dergim-te-draftit-te-asociacionit-ne-kushtetuese-plani-i-koalicionit-aak-nisma-per-politiken-e-jashtme/