Koalicioni për Familjen, në programin zgjedhor ka paraparë disa reforma të cilat pretendon se do të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Lidhur më këtë çështje ka folur, kandidatja për deputete, Myzejene Selmani, e cila tregoi se hapi i parë që do të bëjnë si koalicion është orientimi në projektimin e buxhetit dhe në nxitjen e investitorëve të huaj.
Ajo ka thënë se Koalicioni për Familjen i inkurajon investitorët e huaj dhe ata nga mërgata, të cilët kanë kapital të vijnë për të investuar në Kosovë.
“Ne do të mundësojmë që në aspektin ligjor investitorët të jenë të mbrojtur me ligj, që mos të ketë nepotizëm, që ligji të vlejë njëjtë si për një qytetar, për një deputet, një ministër e kryeministër”- tha Selmani.
I domosdoshëm, sipas saj, do jetë rishqyrtimi i Buxhetit për vitin 2025, pasi sipas saj, “në këtë buxhet ka ndodhur fontanë dëshirash”.
Kritikat nga ana e saj nuk munguan për Qeverinë Kurti, për mosshfrytëzimin e buxhetit, sidomos në investimet kapitale.
Selmani të nevojshme i sheh edhe investimet në resurset që Kosova i ka e që potencialisht mund të ndikojnë në zhvillimin ekonomik.
“T’i japim mundësi investimeve me atë që e kemi burim të parë- thëngjillin. T’i japim mundësi burimeve të ripërtritshme nëse kemi mundësi e energjisë solare e cila është në trend”, ka thënë ajo.
“DebatPërnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.
RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
“Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.
Për më shumë lexoni në linkun në vijim:
https://kallxo.com/gjate/futja-e-lendes-fetare-ne-shkolla-ndalimi-i-martesave-te-gjinise-se-njejte-dhe-krijimi-i-ministrise-per-banim-planet-e-koalicionit-per-familjen/