Ballina

Kurti nga Deçani: Më 9 shkurt ka referendum me të cilin vlerësohet puna jonë

Lëvizja Vetëvendosje në kuadër të fushatës zgjedhore, më 26.01.2025 ka mbajtur tubime në Junik dhe Deçan.

Në tubimin në Deçan, kandidati për kryeministër Albin Kurti deklaroi se në vitin 2025 nuk do të ketë zgjedhje në Kosovë.

“Në Kosovë nuk do të ketë zgjedhje në vitin 2025, zgjedhje do të ketë në vitin 2029. Në vitin 2025, me 9 shkurt ka referendum me të cilin vlerësohet puna jonë dhe vazhdimi i saj” – deklaroi mes tjerash Kurti.

Në tubimin e Junikut, kandidati Kurti ka përmendur investimet e Qeverisë e udheheq, në këtë komunë. Sipas tij mbi 10 milionë euro janë investuar në Junik si rrugë, ndriçim publik, shkollë e çerdhe.

Kurti në Junik u kërkoi votën të gjithëve, sipas tij janë tre Junika.

“Janë tre Junika. Njëri në Kosovë, njëri nëpër Kosovë edhe është një Junik i tretë në diasporë. Këta tre Junika le të bëhen bashkë për 1000 vota më datën 9 shkurt për numrin 118 dhe brenda 500 mijë zemrave në të gjithë Kosovën cep më cep ”- ka thënë Kurti.

Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.

Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

Për këto zjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet e tjera në fuqi.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.