Ballina

Koalicioni për Familjen parasheh themelimin e Institutit të Tërmeteve dhe Inxhinierisë Sizmike

Kandidati për deputet nga Koalicioni për Familjen, Arsim Gërxhaliu, në emisionin “Debat Përnime”, më 26.01.2025, ka folur për infrastrukturën dhe planifikimin hapësinor.

Ai konsideron se deri më tani kjo fushë nuk është trajtuar me prioritet nga qeveritë e shkuara.

“Së pari duhet të bëhet riorganizimi i Ministrisë të Planifikimit Hapësinor, Mjedisit dhe Infrastrukturës. E dyta, Ligji i Planifikimit Hapësinor duhet t’i nënshtrohet reformës rrënjësore. E treta, legjislacioni i ndërtimit si dhe pjesa e banimit që ka qenë shumë pak e trajtuar në vitet e kaluara, ta merr trajtimin adekuat”- tha Gërxhaliu.

Si të udhës, ai e sheh ndarjen e Ministrisë se Infrastrukturës dhe Planifikimit Hapësinor.

Ndërsa të nevojshëm, kjo listë e sheh edhe ndryshimin e Ligjit për Planifikimin Hapësinor.

“Pjesa e planifikimit hapësinor duhet të reformohet sepse ligji aktual, i miratuar diku në vitin 2013, nuk ka mundur akoma me jep efekte në këtë fushë. Ai ligj nuk është kompatibil me rrethanat shoqërore dhe kontekstin lokal të vendit tonë. Duhet të hartohet ligj i ri për planifikimin hapësinor që është në përputhje me kapacitetet tona ekonomike, shoqërore, politike, mjedisore dhe me resurset humane të cilat i kemi brenda institucioneve”- tha Gërxhaliu.

Me një planifikim të mirëfilltë ligjor, sipas tij, parashihet edhe vënia e rregullit në industrinë e ndërtimit.

“Na jemi dëshmitar që Ministria e Planifikimit Hapësinor në të shumtën e rasteve ka qenë një kusur politik mes koalicioneve të ndryshme pa përfaqësim kompetent. Unë kursehem me kategorizu si industri kriminale. Unë them që është një kapacitet i madh brenda industrisë së ndërtimit, mirëpo ka tendenca të kriminalizohet nëse nuk kemi një infrastrukturë të mirë ligjore dhe që është kompatibile me kapacitetet tona”- tha ai.

Ndërkaq, hapi i parë që do bëjë në këtë drejtim, Koalicioni për Familjen, nëse arrin të vij në pushtet, është “ngritja e sigurisë së ndërtimit”.

“Do të jetë themelimi i Institutit të Tërmeteve dhe Inxhinierisë Sizmike. Ky Institut do ta ushtrojë komplet kontrollin dhe do ta centralizojë sigurinë e ndërtimit të gjitha kushtet e strukturës dhe sigurisë të objekteve do të kalojnë në këtë objekt”- thotë Gërxhaliu.

Pjesë e këtij instituti parashihen të jenë rreth 70 inxhinierë.

“DebatPërnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. 

RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com. 

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

“Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.

Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

https://kallxo.com/gjate/futja-e-lendes-fetare-ne-shkolla-ndalimi-i-martesave-te-gjinise-se-njejte-dhe-krijimi-i-ministrise-per-banim-planet-e-koalicionit-per-familjen/