Policia ka njoftuar se persona të panjohur i kanë vënë flakën një veture me targa të Serbisë.
Rasti ka ndodhur më 25.01.2025 në Ranillug rreth orës 20:35.
Zjarrfikësit kanë shuar zjarrin. Rasti është duke u hetuar.
Rasti po trajtohet si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
KALLXO.com raportoi më 25.01.2025 se dy shishe koktej mollotovi dyshohet se janë hedhur në veturën e një përfaqësuesi të Komisionit Qendror Zgjedhor.
Prokurori kujdestar Agron Uka tha mbrëmë se ekipet e hetuesisë janë në vendin e ngjarjes pas informacioneve që kanë pranuar në lidhje me një zjarr fillimisht që ishte raportuar.
“Ajo çka kemi, është që dy shishe me koktej molotovi janë gjuajtur në drejtim të veturës së një anëtareje të KQZ-së. Ka mundësi që i dyshuari ka pësuar djegje, jemi në kërkim të provave dhe dëshmive të reja për t’i mbledhur ato”- tha Uka për KALLXO.com.
Tutje ai shtoi se ndonëse ka përkeqësim të motit për shkak te mjegullës, ekipi i hetuesisë është duke bërë kërkime për të gjetur dhe identifikuar të dyshuarin që kreu aktin.