Ballina

Abdixhiku në Pejë kritikon punën e LVV-së, fton dukagjinasit të rreshtohen kah LDK-ja

Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, më 26.01.2025 ka mbajtur tubim elektoral në Palestrën “Karagaç” në Pejë.

Abdixhiku, tha se në Pejë ka lindur LDK-ja, teksa i ftoi qytetarët të rreshtohen krah misionit të presidentit historik Ibrahim Rugova.

“‘Karagaçi’ është bjeshkë, sikurse bjeshkët e Rugovës. Duhet matur mirë e mbarë përpara se t’ia mësysh asaj. Por, kur e nënvlerëson, kur e lë atë thatë, kur e mbush me perde të zeza përrreth, pra ia humb të gjithë magjinë e madhështinë, kjo sallë edhe ta humb kontrollin. Ta humb kontrollin aq shumë sa dikur ia nis me mbytë miza imagjinare në këtë sallë, në Karagaç. Për të gjithë ata që nga “Karagaçi” i Pejës, nga kjo sallë me kaq histori, kërkuan mbytjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës, na shihni për pak, na shihni për rreth, na shihni e dëgjoni me shumë kujdes”- tha Abdixhiku.

Kreu i LDK-së e përmendi edhe fitoren që populli i Kosovës ia dha partisë në pushtet, por sipas tij, për katër vjet, puna e vetme e Kurtit është ura dy metërshe në Saradran.

“Kosova e sanksioneve, Kosova e mbylljes, Kosova e masës, Kosova e përplasjes me aleatë, Kosova e përplasjes me shqiptarë në rajon e me shqiptarë në Kosovë, nuk është Kosova e të djathtëve, nuk është e patriotëve të Dukagjinit, nuk është Kosova e Ibrahim Rugova, nuk është Kosova e LDK-së”- tha ai.

Ai në Pejë ka premtuar ndërtimin e stadiumit të qytetit, përfundimin e autostradës Kjevë – Zahaq, riasfaltimin e rrugës për Rugovë e të tjera.

Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.

Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet e tjera në fuqi.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.