Ballina

Zotimi i PDK-së: Bizneset e vogla do të lirohen nga tatimi

Në planet e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për rritjen ekonomike në vend është futur edhe nxitja e investimeve përmes stimujve fiskal.

Kandidati për deputet nga kjo parti, Arben Mustafa, tha se aktualisht në Kosovë ka shumë import dhe pak eksport të prodhimeve vendore.

Dhe, për të ndryshuar kjo gjendje, sipas tij, duhet të priten reformat e PDK-së.

“Ajo çfarë do të bëjmë është që në kuadër të reformës fiskale do të krijojmë kushte, do të japim stimuj fiskalë për investitorët e rinj. Për investitorët që punësojnë 50 punëtorë, ose investojnë mbi 500 mijë euro kapital, do të ketë pushime tatimore në tatimin në fitim për vite të caktuara”- tha Mustafa.

Mirëpo, mbështetje parashihet edhe për bizneset ekzistuese. Të njëjtat, sipas Mustafës, nuk duhet të shihen si konkurrencë, pasi “këto biznese po operojnë edhe në tregjet ndërkombëtare”.

Përveç kësaj, Mustafa tha se në kuadër të reformave parashihet edhe lirim nga barra tatimore me qëllim që të nxiten bizneset për të investuar.

“Ne jemi për lirim të barrës tatimore për shkak se jemi të sigurt se si të nxisim biznesin. Lirimet tatimore që i kemi përmend nuk paraqesin kosto të madhe për buxhetin e vendit. Ne kemi thënë që bizneset e vogla me qarkullim vjetor deri në 10 mijë euro do t’i lirojmë nga tatimi”- tha ai.

Sa i përket zhvillimit ekonomik, sipas Mustafës pritet edhe “fuqizimi i qasjes në financa për biznesin, do të ristrukturojmë rolin e fondit garantues të kredive të Kosovës për t’i orientuar kreditë drejt sektorëve me rëndësi për Kosovën. Do të sigurohemi që kreditë e garantuara nga shteti do të kenë edhe norma të interesit më të ulëta”.

Ndërsa për të rinjtë e Kosovës, priten të ofrohen kushte të mira në sektorin e Teknologjisë dhe Informacionit më qëllim që krijohen kushte të volitshme të punës.

Kandidati Mustafa, mbështetje premtoi edhe për shkollat profesionale e private për zhvillimin  e kuadrove të reja në vend.

“Do të mbështesim shkollat profesionale që të zhvillojnë sa më shumë kuadro të tilla sepse për neve do të ishin avantazh i madh që të rinjtë të rrinë në Kosovë, por t’i shesin shërbimet e tyre në vendet e huaja”- tha ai.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.

RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Jeta Xharra, drejtuese e “DebatPërnime” tha në nisje të debatit se Kosova vazhdon të jetë mes vendeve më të varfëra në rajon, derisa ekonomia vazhdon të jetë e bazuar në tregti dhe në kokurrencë jolojale.

“Midis qendrës të Prishtinës, makiatoja pihet pa fatura fiskale. Kontabanda dhe taksa doganore vazhdojnë të shmangen në kufi. Trepça nuk arrin as të paguaj rrymën që e harxhon e leje me gjeneru. Ferronikeli nuk është duke prodhu. Baza e ekonomisë vazhdon me qenë tregtia “blej ma lirë, shitë ma shtrenjtë”- tha Xharra.

Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

https://kallxo.com/gjate/investime-kapitale-miliardeshe-dhe-lehtesira-tatimore-per-bizneset-plani-i-pdk-se-per-zhvillimin-ekonomik/