Ballina

Kurti në Klinë, premton investime në lokalitetin arkeologjik të Dresnikut

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, bashkë me disa prej anëtarëve të listës me të cilën garon në zgjedhjet parlamentare, më 25.01.2025 ka mbajtur tubim elektoral në Klinë.

Kurti ka thënë se Qeveria e tij i ka shpronësuar parcelat në lokalitetin arkeologjik të Dresnikut, duke e berë atë pasuri publike shtetërore.

“Parku arkeologjik do të ketë hapësirën muzeale, qendrën e trajnimit dhe qendrën për vizitorë, sepse do të shndërrohet në një pikë shumë të rëndësishme të turizmit kulturor e historik për Republikën tonë e për kombin shqiptar”- ka thënë ai.

Kurti, në fjalën e tij, ka përmendur një bashkëpunim të qeverisë me qytetarët e Klinës, që sipas tij, ndali një projekt të dëmshëm të Korporatës Devolli.

“Këtu në Klinë ne kemi bashkëpunuar për të parandaluar një krim të madh mjedisor – ndërtimin e fabrikës së çimentos. Katër mijë banorë, me plot të drejtë, e kanë kundërshtuar një projekt të tillë, sepse ndotja nga kjo fabrikë do të ishte e dëmshme për Klinën dhe për mbarë Dukagjinin. Fabrikën kishte ndërmend ta ndërtonte Korporata Devolli. Fabrika u parandalua falë banorëve që u ankuan te qeveria dhe falë qeverisë që u doli në ndihmë”- është shprehur ai.

Kandidatja për deputete, Arbërie Nagavci, kujtoi se qeveria Kurti e ka treguar dhe dëshmuar se është e mundur të krijohen politika që janë në interes të qytetarëve e jo të grupeve të caktuara.

“Sa herë që jemi bashkë dhe të vendosur, kemi arritur shumëçka. Andaj, edhe këtë 9 shkurt do të jemi bashkë për fitoren tonë të madhe. Për një qeveri të ndershme, të përgjegjshme dhe të gatshme të luftojë për interesat e qytetarëve të saj”- ka thënë ajo.

Kandidatja për deputete, Teuta Mulaj, në fjalën e saj kujtoi disa prej të arriturave të qeverisë Kurti 2, të cilat, siç tha ajo, tregojnë qeverisjen me vizion të drejtë dhe gjithëpërfshirës.

Lëvizja Vetëvendosje më 25.01.2025 ka qëndruar edhe në Malishevë.

Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.

Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet e tjera në fuqi.

Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.