Televizioni amerikan CNN ka bërë të ditur, më 23.01.2025, se po kryen një ristrukturim – duke përfshirë largimin e 200 punëtorëve nga puna, në kuadër të kalimit në operacione digjitale dhe role të reja televizive për personalitete, si: Wolf Blitz, Jake Tapper dhe Audie Cornish – raporton Agjencia amerikane e lajmeve AP.
Është ristrukturimi më i guximshëm deri më tani në mandatin 18-mujor të shefit ekzekutiv, Mark Thompson, ish-drejtor ekzekutiv në gazetën prestigjioze “The New York Times” dhe transmetuesin britanik BBC. Ai është angazhuar nga kompania amë “Warner Bros. Discovery”, për të rikthyer fitimet në rënie të mediumit amerikan.
Largimet nga puna përqendrohen në pjesën e biznesit televiziv të CNN-it, ku vlerësimi ka rënë pasi shikuesit po heqin dorë prej kabllorit dhe po kërkojnë burime të tjera lajmesh. Largimet do të kompensohen përfundimisht me punësimet të reja në sektorin digjital, ku “Warner Bros. Discovery” po investon 70 milionë dollarë – ka njoftuar CNN.
“Ky nuk është manifestim i kursimit të shpenzimeve.” – ka deklaruar Thompson në një intervistë. “Ne në fakt po anojmë për rritje investimesh”.
Largimet nga puna ose janë bërë ose pritet të bëhen në të gjithë industrinë e lajmeve. Vlerësimi i CNN-it ka pësuar goditje që nga zgjedhja e presidentit Donald Trump, kritik i kahershëm i rrjetit televiziv kabllor. CNN-i pati rreth 1.7 milionë shikues gjatë inaugurimit të Trumpit në fillimjavë – krahasuar me 8 milionë për inaugurimin e Joe Bidenit katër vjet më parë, megjithëse audienca mund të luhatet bazuar në qëndrimin politik të personit që do të inaugurohet.
CNN-i pësoi gjithashtu një goditje financiare – mbetet e paqartë sa e madhe ishte – kur javën e kaluar një Gjykatë në Floridë e shpalli rrjetin përgjegjës për shpifjen e një veterani të marinës amerikane, në një storie që përfshinte një përpjekje të paguar për nxjerrjen e afganëve të rrezikuar pas pushtimit të Afganistanit nga talebanët. Rrjeti e zgjidhi çështjen përpara se Gjykata të vendoste plotësisht për dëmet.
CNN-i njoftoi të enjten, më 23.01.2025, se po zhvillonte një produkt që do t’i lejonte konsumatorët të shikojnë videotransmetime të ngjashme me televizorin në çdo pajisje. Nuk është dhënë ndonjë datë se kur do të hidhet produkti në treg.
Nën Thompsonin, CNN-i ka ridizajnuar dhe ofruar pa bujë elemente të reja në faqen e internetit CNN.com. Në fund të vitit të kaluar, televizioni ofroi abonim mujor prej 3.99 dollarësh dhe prej 29.99 dollarësh në vit për përdoruesit dhe po punon për nxjerrjen e produkteve të reja në internet në fusha, si: stili i jetesës, moti dhe sporti.
Në disa aspekte, Thompsoni po përpiqet të bëjë në CNN çfarë bëri në gazetën Times, ku produktet e saj dixhitale modernizuan biznesin e së përditshmes. Shefat Ekzekutivë shpresojnë se komponenti i videove të CNN-it dhe audienca ndërkombëtare do të ofrojnë mundësi rritjeje – pa e kopjuar Times-in.
Transformimi i CNN-it “nuk është dhe nuk mund të jetë një grup i vetëm ndryshimesh, por një proces investimi, eksperimentimi dhe përshtatjeje që do të zgjasë me vite” – ka deklaruar Thompson në një memo për stafin e CNN-it. “Objektivi ynë është i thjeshtë: të zhvendosim gravitetin e CNN-it drejt platformave dhe produkteve, ku vetë audienca po zhvendoset”.
CNN-i po kursen në televizion me më pak staf dhe me transferim të disa prej operacioneve teknike në Zyrën qendrore në Atlanta.
Rrjeti ka njoftuar tashmë një seri ndryshimesh në orarin e emisioneve: “Situation Room” e moderatorit veteran Blitzer do të zhvendoset nga koha e mbrëmjes në orën 10:00 të mëngjesit – sipas kohës së SHBA-së lindore – ku atij do t’i bashkohet Pamela Broën; Emisioni dyorësh i Tapperit do të fillojë në orën 17:00; Cornish me “CNN This Morning” do të nisë nga ora gjashtë e mëngjesit; Kasie Hunt do ta drejtojë emisionin e ri, “The Arena”, në orën 16:00 dhe Rahel Solomon e nis “5 Things”, në orën 5 të mëngjesit.
Për momentin, jashtë kësaj skeme është lënë moderatori aktual i mëngjesit të vonë, Jim Acosta, partner i shpeshtë përplasjesh me Trumpin gjatë mandatit të tij të parë presidencial. Ai po negocion një emision të ri – ka konfirmuar televizioni CNN, pasi u raportua se ai nuk pranoi një emision të orëve të vonshme të natës.
Përveç shkurtimeve të ashpra, sfida më e madhe e rrjetit televiziv mbetet depërtimi te mbështetësit e Trumpit, që rrjetin e konsiderojnë armiqësor. Shumë mbështetës, në fakt, kanë shprehur të enjten në internet gëzimin për pushimet nga puna në këtë televizion.
“Jo vetëm që Trumpi është më i fortë se ndonjëherë në karrierën e tij politike, por ai edhe mund të ketë mbytur trashëgiminë mediatike, qysh e kemi njohur.” – shkroi moderatori dhe themeluesi i radios OutKick, Clay Travis në X.
Thompson ka bërë të ditur se dëshiron që CNN-i të shquhet me gazetarinë e tij të fuqishme dhe për kontrollin e fakteve, me synimin që shikuesit të lihen të vendosnin vetë për çështjet. Ai ka spikatur se emisioni “Prime Time” i Abby Phillipit mbetet nga të paktat emisione informative kabllore, ku njerëzit me pikëpamje shumë të ndryshme mund të debatojnë çështje të ndryshme.
“Unë mendoj se ne duhet të vazhdojmë me qetësi dhe durim punën tonë si gazetar.” – ka theksuar ai.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com