Ballina

Nëse ka oligark në Kosovë, LDK konsideron se ai është Martin Berishaj

Kandidatët për deputetë nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), në emisionin “Debat Përnime”, kanë shpalosur një pjesë të programit të tyre “Rruga e Re” e cila lidhet më fushën e ekonomisë.

Në kuadër të këtij debati, ata u pyetën nëse në Kosovë ka oligarkë, siç pretendon kryeministri aktual, Albin Kurti.

Lidhur më këtë çështje, Berat Rukiqi, tha se “për populistët është shumë e lehtë me jep kategorizime të tilla”. Dhe, pasi bëri interpretimin e definicionit “oligark”, ai tha se në Kosovë nuk ka të tillë.

“Në Kosovë nuk ka oligarkë. Nuk kemi ne sektorë të minierave. Për ata që nuk na kuptojnë, le ta sqarojmë se çka është oligarkia. Oligarkia ka dalë si term në vendet e Lindjes, në atë tranzicionin e egër ku është plaçkit prona shtetërore e atyre shteteve dhe pastaj janë krijuar oligarkët nga asetët shtetërore. Nuk kemi të tillë në Kosovë”- tha Rukiqi, më 24.01.2025.

Argument tjetër që në Kosovë nuk ka oligarkë, sipas tij, është edhe fakti se vetë tranzicioni që ka kaluar Kosova si shtet nuk mundëson një fenomen të tillë.

Mirëpo, përkundër kësaj ky kandidat për deputet mendon se nëse në Kosovë ka një oligark, atëherë ai është Martin Berishaj, të cilin sipas tij, e ka krijuar vetë qeveria e drejtuar nga Albin Kurti.

“Nëse ka oligarkë që e ka kriju kjo Qeveri, ai është Martin Berishaj”- tha ai.

I pyetur se si do jetë qasja e LDK-së në rast se vjen në pushtet ndaj njerëzve të tillë, Rukiqi tha se “ LDK nuk e lufton [atë]. [Por] E lufton sistemi, rendi dhe ligji”.

Madje, rastin e ambasadorit Berishaj, ai e konsideron konflikt të pastër interesi.

“Është konflikt i pastër interesi në radhë të parë e pastaj edhe ato të gjitha kontratat tjera që janë në hetim. Nuk dua ta komentoj punën e organeve të rendit, por nëse ka një oligark që e ka përdor dhe keqpërdor një aset për shitblerje të energjisë dhe kontrata të dëmshme që janë nën hetim, ai është Martin Berishaj me plotë të tjerë”- thotë Rukiqi.

Ndërsa, kandidati tjetër Besian Mustafa, lidhur më këtë përmendi institucionin e Autoritetit të Konkurrencës që e ka për detyrë kushtetuese dhe ligjore që të sigurojë që ka konkurrencë në përgjithësi, e që sipas tij, me ardhjen e kësaj qeverie ky institucion për dy vite u la jashtë funksionit, duke mos e emëruar bordin e tij.

Përveç kësaj, sipas Mustafes, njëjtë u veprua edhe me Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) duke mos e emëruar bordin për dy vite, e që sipas tij, është kuptuar pse nuk ka ndodhë një emërim i tillë.

“Sepse për katër vite keqpërdorën 280 milionë euro me tenderë njëburimor, që unë i quaj tenderë që u kanë dhënë dostave të tyre në dhoma të errëta- ti e merr këtë tender, ti këtë tender, ti 10 milionë, ti 15 milionë. Një qeveri që pretendon që ka oligarkë në Kosovë, bën saktësisht veprime që dërgon në bërjen e oligarkëve”- tha Mustafa.

Për të njëjtën çështje foli edhe kandidati tjetër për deputet, Sokol Havolli. Sipas tij, oligarkë janë ata që përcaktojnë politikat e qeverisë dhe një gjë e tillë po ndodhë në sektorin e energjisë.

“Kur ndërlidhemi me komentimin e termit oligark, ajo do të thotë kush i përcakton politikat e qeverisë. Ne e shohim sot kush i përcakton politikat e sektorit energjetik në Kosovë. Politikat e sistemit energjetik në nivel të Qeverisë i menaxhon Martin Berishaj”- tha Havolli.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.

RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Jeta Xharra, drejtuese e “DebatPërnime” tha në nisje të debatit se Kosova vazhdon të jetë mes vendeve më të varfëra në rajon, derisa ekonomia vazhdon të jetë e bazuar në tregti dhe në kokurrencë jolojale.

“Midis qendrës të Prishtinës, makiatoja pihet pa faturë fiskale. Kontabanda dhe taksa doganore vazhdojnë të shmangen në kufi. Trepça nuk arrin as të paguaj rrymën që e harxhon e lëme më me gjeneru. Ferronikeli nuk është duke prodhu. Baza e ekonomisë vazhdon me qenë tregtia ‘blej ma lirë, shitë ma shtrenjtë’”- tha Xharra.

Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

https://kallxo.com/gjate/central-me-gaz-aviokompani-dhe-investime-miliardeshe-plani-i-ldk-se-per-zhvillimin-ekonomik/