Koalicioni për Familjen ka vazhduar fushatën për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
I pari këtij Koalicioni, Eman Rrahmani, ka njoftuar se më 24.01.2025 kanë vizituar Tregun e Gjelbër, aty ku sipas tij, bëhet puna më e ndershme për të krijuar e mbajtur ekonomitë familjare.
“Takuam fermerë dhe tregtarë që, me përkushtim dhe punë të palodhur, sigurojnë furnizimin e vazhdueshëm me produkte ushqimore për familjet tona. Do të vazhdojmë të qëndrojmë të përkushtuar për të mbështetur çdo punëtor të ndershëm, duke siguruar që puna e tyre të jetë më efikase dhe ndikimi në ekonominë e vendit sa më i madh”- ka thënë ai.
Koalicioni për Familjen e ka hapur zyrtarisht garën zgjedhore me një tubim në Prishtinë më 11.01.2025.
Rrahmani ka thënë se subjektet tjera politike sot janë zmbrapsur dhe nuk guxojnë të shtyjnë ligje që cenojnë familjen.
Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.
Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.
Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:
– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;
– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.