Ballina

U lëshua në qarkullim pa u testuar, pas raportimit të KALLXO.com intervistohet një person për Urën e Badovcit

Pas raportimit të KALLXO.com se Ura e Badovcit është lëshuar për qarkullim pa u testuar, Policia e Kosovës ka njoftuar se pas pranimit të autorizimit nga Gjykata dhe pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore ka konfirmuar se Ura është lëshuar për qarkullim pa përfunduar testimi final.

Më tej, në njoftim thuhet se tashmë një person është intervistuar, teksa rasti është cilësuar, si: “mbikëqyrje e pandërgjegjshme e trafikut publik”.

“Në koordinim me Prokurorin është intervistuar një i dyshuar mashkull kosovar. Në konsultim me Prokurorin rasti vazhdon në procedurë të rregullt.” – thuhet në Raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

Më 07.01.2025, KALLXO.com kishte raportuar ekskluzivisht se Ura e Badovcit ishte lëshuar në qarkullim pa u testuar.

Ura ishte lëshuar në qarkullim më 31.12.2024, teksa testimi final i saj ishte realizuar disa ditë pas raportimit të KALLXO.com, saktësisht më 09.01.2025. Pra, testimi ishte bërë dhjetë ditë pasi e njëjta ishte lëshuar për qarkullim për automjete.

Pas raportimit ekskluziv të KALLXO.com, Prokuroria e Prishtinës kishte kërkuar nga Policia e Kosovës të mbledhë informacione për lëshimin në qarkullim të Urës te Liqeni i Badovcit – pa u testuar fare struktura e saj.

Kjo u konfirmua nga kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi.

“Po, mund t’jua konfirmojmë se Prokuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar nga Policia e Kosovës mbledhjen e informacioneve – lidhur me lëshimin e Urës në qarkullim pa u testuar.” – tha kryeprokurori Gashi për KALLXO.com, më 08.01.2025.

Kompania përgjegjëse për kryerjen e testimit “Dreni Inginiering” kishte konfirmuar për KALLXO.com se Ura ishte lëshuar për qarkullim për shkak të festave.

Ndërsa, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi për KALLXO.com kishte deklaruar se testimi ishte vetëm formal, sepse Ura ishte ndërtuar me kritere të larta të ndërtimit.

Sipas aneks-Kontratës, ky testim i ka kushtuar buxhetit të shtetit 6 mijë euro, kurse i gjithë projekti ka kushtuar mbi gjysmëmilioni euro.

Ura, që shtrihet në magjistralen Prishtinë – Gjilan, ishte mbyllur në fund të muajit prill të vitit 2023. Më pas, më 17.05.2023, Ministria e Infrastrukturës kishte asfaltuar rrugën ndihmëse, që shfrytëzohej si rrugë alternative, deri në përfundimin e Urës. Ndërsa, në tetor të vitit 2023, kishin filluar procedurat e prokurimit për ndërtimin e Urës së re. Kontrata “Ndërtimi i urës në rrugën nacionale N25.2, segmenti Prishtinë – Gjilan, lokacioni te Liqeni i Badovcit” ishte nënshkruar më 10.01.2024. Vlera e Kontratës së nënshkruar me Kompaninë fituese “Dreni Inginiering” ishte 468 mijë e 522 euro.