Ballina

Nuk ka oligarkë në Kosovë, thotë Hoxha i AAK-së

Kandidati për deputet nga Koalicioni AAK-Nisma, Edmond Hoxha, gjatë emisionit “Debat Përnime”, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me bizneset në aspektin e zhvillimit ekonomik të vendit.

Për dallim nga pushtetarët e tanishëm, ai nuk pajtohet se në Kosovë ka oligarkë.

Këtë shprehje, ai e cilëson më shumë si “terminologji propagandistike”.

“Realisht nuk ka oligarkë në Kosovë. Nga ana e terminologjisë përdoret gabim për qëllime propagandistike. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Koalicioni për Kosovën Fituese bizneset do t’i shohë si partnerë. Të gjitha informacionet që do të mblidhen nga biznesi do të përdoren për bashkëpunim dhe për rritjen e ekonomisë së vendit”- tha Hoxha, më 23.01.2025.

Ai nuk u pajtua as me gjuhën e përdorur nga kryeministri Albin Kurti, përkitazi me situatën e sigurisë në vend.

“Gjuha me të cilën kontaminohen qytetarët e Kosovës duke propaganduar kishe/pothuajse jemi në një gjendje lufte ndikon direkt në të bërit biznes, e le më kur kemi të bëjmë me bizneset e huaja. Të jeni të sigurt që asnjë biznes i huaj nuk do të vendosë të investojë në Kosovë kur kryeministri del në mëngjes dhe thotë që do të fillojë lufta nesër, pasnesër …”- tha Hoxha.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht, deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”, Jeta Xharra ka deklaruar se askush në KALLXO.com nuk është pasanik, milioner, e le më oligark.

“Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka theksuar, ndër të tjera, Xharra.

E, për kandidatët e LVV-së që kanë refuzuar të marrin pjesë në Debat, ajo e ka dhënë “diagnozën”: Politikus Arrogantis Totalis Mendjemadhijensis!

Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

https://kallxo.com/gjate/zotimet-e-koalicionit-aak-nisma-termocentral-me-thengjill-rritje-pagash-e-funksionalizim-te-aeroportit-te-gjakoves/