Ballina

Detaje rreth letrës që Biden ia la Trumpit në Zyrë

Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar të martën se ish-presidenti, Joe Biden ia ka lënë një letër brenda tavolinës së punës në Shtëpinë e Bardhë – duke vazhduar një traditë të Ditës së Inaugurimit – bën të ditur të enjten, më 23.01.2025, Agjencia e lajmeve Reuters.

Trump ka njoftuar se e ka hapur letrën të hënën mbrëma dhe se po mendonte që ta publikonte. Ai ka thënë se Biden e ka këshilluar që ta shijojë mandatin dhe se ka spikatur rëndësinë e detyrës.

“Në të thuhet ‘Numrit 47’” – ka bërë të ditur Trump. “Ishte një letër shumë e këndshme… thjesht një letër e tipit frymëzues. Shijoje! Bëj punë të mirë! E rëndësishme, shumë e rëndësishme, është detyra.”.

Ndërkaq, Trump ka ndarë ekskluzivisht për median Fox News të mërkurën përmbajtjen e letrës, që Biden ia la pas largimit nga Zyra Ovale në fillim të kësaj jave.

Letra të cilën Trump e gjeti në tavolinën e punës në Zyrën Ovale me ndihmën e korrespondentit të lartë të Fox News në Shtëpinë e Bardhë, Peter Doocy, i drejtohet me “I dashur President Trump” dhe vijon, si më poshtë:

“Ndërsa largohem nga kjo Zyrë e shenjtë, ju uroj ju dhe familjes suaj më të mirat në katër vjetët e ardhshme. Populli amerikan dhe njerëzit në mbarë botën shikojnë nga kjo shtëpi qëndrueshmëri në stuhitë e pashmangshme të historisë dhe lutem se katër vjetët e ardhshme do të jenë një kohë prosperiteti, paqeje dhe hirësie për kombin tonë.” – ka raportuar Fox News.

“Zoti ju bekoftë dhe ju udhëzoftë ashtu siç e ka bekuar dhe udhëzuar vendin tonë të dashur, që nga themelimi.” – shkruan, ndër të tjera, në letrën që e ka publikuar Fox News.

Kurse, Biden ka thënë se Trump i ka lënë një “letër shumë bujare”, por deri më tani ka refuzuar të ndajë përmbajtjen e asaj që shkroi Trump – duke e konsideruar atë si private.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com