Ballina

Kandidati për Deputet i LDK-së lavdëron punën e ish-Ministrit të Qeverisë Kurti

Kandidati për Deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ekrem Hyseni ka kritikuar Qeverinë Kurti për mënyrën se si ka udhëhequr me sektorin e Shëndetësisë, por nga kritikat e ka kursyer një ish-Ministër të Shëndetësisë. Bëhet fjalë për Rifat Latifin.

Hyseni e ka vlerësuar atë si një person që ka “dëshmuar se e do Kosovën”.

Krijimi i Qendrës Kombëtare të Telemjekësisë, siç ka thënë ai, është sukses i Latifit.

“Për katër vjet qeverisje kemi pa që ka qenë një miks dhe Ministria e Shëndetësisë vetëm punën e vet nuk e ka kryer. Ka ba shumë punë, por punën e vet jo. Kemi pas fillimisht një Ministër që erdhi nga diaspora, që ishte profesor, për të cilin unë sot në këtë emision flas më shumë respekt. Ka qenë një njëri që vërtetë e ka dëshmuar se e do këtë vend, sepse Qendra e Telemjekësisë është rezultat i punës së tij.” – ka deklaruar Hyseni, në “Debat Përnime”, më 21.01.2025.

Mirëpo, sipas tij, ish-Ministri u detyrua të largohej nga kjo pozitë, pasi nuk mundi t’i zbatojë politikat e veta si një profesionist i përgatitur.

“Rifat Latfi nuk gjeti ambient pune në Ministrinë e Shëndetësisë. Ka deklaruar që ka pasë ambient toksik pune. Që i bie se nga pozitat menaxheriale nuk ka mundur me i zbatu politikat shëndetësore për të cilat ka ardhur me vizionin e tij, si një profesionist i përgatitur.” – ka theksuar Hyseni.

Ardhja e ministrit Arben Vitia, sipas tij, nuk solli vendime të guximshme për projekte të mëdha në sektorin e Shëndetësisë.

Në kuadër të kritikave për qeverisjen e Vitisë në Shëndetësi ishte edhe mbetja buxhetore, përkundër nevojave të mëdha që ka ky sektor për investime.

“Kemi suficit. Përkundër nevojave të mëdha, ne kemi tepricë të buxhetit dhe kjo është një indikator i qartë se kemi pas një menaxhim të keq. Ka nevoja, tepron buxheti dhe Ministri me Kryeministrin prejnë shirita të korridoreve dhe eventualisht të ndonjë sporteli.” – është shprehur Hyseni.

Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”, Jeta Xharra ka deklaruar se askush në KALLXO.com nuk është pasanik, milioner, e le më oligark.

“Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka theksuar ndër të tjera, Xharra.

Për më shumë, lexoni në linkun në vijim:

https://kallxo.com/lajm/rritje-te-buxhetit-qender-te-re-spitalore-dhe-funksionalizim-te-sish-it-zotimet-e-ldk-se-per-shendetesine/