Katër raste të dhunës në familje janë raportuar në 24 orët e fundit, teksa dy persona janë arrestuar dhe një tjetër është në kërkim nga Policia.
Rastet e dhunës janë raportuar, më 20.01.2025, në Prishtinë, Malishevë, Pejë dhe Rahovec.
Në Kryeqytet raportohet se pas një mosmarrëveshjeje dy të dyshuar: një femër dhe mashkull e kanë sulmuar fizikisht një mashkull tjetër.
“Lidhur me rastin e dyshuara është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari ndodhet në kërkim policor.” – njoftoi Policia.
Kurse në Pejë, një femër është sulmuar fizikisht nga një mashkull, teksa viktima ka pranuar tretman mjekësor. Policia bëri të ditur se rasti është në procedurë hetimore.
Ndërkaq, në Malishevë personi i arrestuar pas intervistimit, me vendim të Prokurorit, u lirua me procedurë të rregullt. Sipas Policisë, i njëjti dyshohet se e ka sulmuar fizikisht një femër.
Në Rahovec, personi i arrestuar për “dhunë në familje”, me vendim të Prokurorit, është dërguar në mbajtje.