Ballina

LDK pretendon që Komuna e Gjilanit qëllimshëm ua vonoi përgjigjen refuzuese për tubim në palestrën e qytetit, Komuna e mohon

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan ka njoftuar se i është refuzuar leja për organizimin e tubimit elektoral në Palestrën e Sporteve “Bashkim Selishta” në Gjilan më 06.02.2025.

Sipas LDK-së, kërkesa është dërguar më 30.12.2024 dhe është refuzuar pas dy javësh pritjeje, me arsyetimin se palestra do të jetë në dispozicion të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Por, nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Gjilan mohojnë që përgjigja është vonuar dy javë.

Gentrit Murseli nga LDK në Gjilan në një prononcim për KALLXO.com pretendon që përgjigjja u vonua qëllimshëm në mënyrë që LDK të mos ketë mundësi të propozojë një datë tjetër për ketë tubim.

“Para nja dy-tri dite na është kthy përgjigja negative, me arsyetimin që në atë datë KQZ fillon me përgatitë sallën për qendër të numërimit. Mendoj që qëllimisht na kanë vonu më shumë se dy javë përgjigjen se kërkesën e kemi bo në 30.12.2024. Ata kanë qenë të njoftuar se KQZ ka me pasë qendrën në dispozicion për me i numëru votat. Qëllimisht na kanë vonu dy javë se nuk ka nevojë tjetër me na vonu dy javë përgjigjen, të kishin kthy deri me 5 a 6 janar që me pasë ne mundësi me gjetë vend tjetër ose me ndërru datën. Se datat për tubime janë mbyllë”- ka thënë ai më 18.01.2025.

Lidhur me këtë çështje, KALLXO.com ka kontaktuar drejtorin për Kulturë, Rini dhe Sport në Gjilan, Kushtrim Zeqiri. Ai ka thënë përmes përgjigjes në kërkesën e tyre, u kanë kërku LDK-së mirëkuptim për një datë brenda muajit janar për arsye që salla është në shfrytëzim të KQZ-së.

Ndërsa ka thënë se nuk është e vertetë që e ka vonuar përgjigjen dy jave.

“Nuk është e vërtetë që e kam vonu përgjigjen dy javë, nuk po besoj që e kam vonu dy javë. Në përgjigjen e kthyer ceket që brenda muajit janar mund ta propozoni një datë tjetër të cilën ua aprovojmë pa problem, dhe se kjo është e qëllimshme që po bëhet nga ana e LDK-së për shkak se edhe LDK ka anëtarin e vet në KKZ që e ka ditë shumë mirë këtë çështje”- ka thënë Zeqiri.

Ndërsa, të dyja palët thanë për KALLXO.com se për momentin nuk e posedojnë dokumentin ku është shkruar përgjigja e drejtorisë për LDK -në. Megjithatë thanë se do e dërgojnë në adresë të KALLOXO.com deri të hënën (20.01.2025).

Në Palestrën e Sporteve “Bashkim Selishta” në Gjilan sot, më 18.01.2025, Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur tubim elektoral me qytetarët e Gjilanit në kuadër të ditëve zyrtare të fushatës për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 09.02.2025.

Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.