Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi është takuar me Shefen e Misionit të BE-së për Vëzgimin e Zgjedhjeve, Nathalia Loiseau.
Sipas komunikatës së PDK-së, në takim u fol për angazhimin e Kosovës për Zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente, si dhe për përpjekjet për forcimin e proceseve demokratike në vend.
“Ai theksoi rëndësinë e misioneve të mëparshme të BE-së në mbështetjen e reformave zgjedhore, rritjen e transparencës dhe fuqizimin e besimit publik në procesin zgjedhor.” – citohet të ketë thënë Krasniqi.
Tutje, Krasniqi citohet se ka thënë se Kosova është krenare për organizimin e Zgjedhjeve demokratike dhe respektimin e rezultateve zgjedhore – gjë e cila sipas tij reflekton pjekurinë dhe vlerat demokratike.
“Gjatë diskutimit u theksua gjithashtu Ligji i ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili përbën një moment historik në reformat zgjedhore të Kosovës. Kryetari Krasniqi theksoi se monitorimi dhe rekomandimet e misionit do të jenë thelbësore për vlerësimin e ndikimit të këtij Ligji, identifikimin e përparësive dhe adresimin e çdo mangësie të mundshme.” – thuhet në mes të tjerash në komunikatë.
Krasniqi ka siguruar Luiseau për bashkëpunimin, për të garantuar suksesin e këtij misioni.
Kryetari i PDK-së ka thënë se si parti do të promovojnë gjithpërfshirjen dhe do të luftojnë dezinformimin, për të siguruar mjedis zgjedhor të drejtë dhe të besueshëm.
Loiseau citohet të ketë konfirmuar përkushtimin e BE-së, për të mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj demokratik.