Vërshimet e viteve të fundit, Musa Bacakut nga Podujeva ia dëmtuan një pjesë të konsiderueshme të pronës. Fermeri nga Lluzhani pretendon se Lumi Llap, ia mori rreth 50 ari tokë. Ai shpresonte se me fillimin e projektit për rregullimin e shtratit, toka do t’i rikthehej, por një gjë e tillë sipas tij nuk ndodhi.
Punimet në pronën e tij nuk i ka lejuar të vazhdojnë, meqë Bacaku pretendon se muri mbrojtës planifikohej të ndërtohej në tokën e tij.
“Në pronat e mija nuk kam leju me u punu më tutje, për shkak se unë kur e kam thirrë gjeodetin privat dhe i ka vendosë pikat, i kam tregu edhe atyre të komunës, i kanë pa pikat ku janë. Ju kam thanë nuk ka nevojë me u bazu në gjeodet timin, merrni gjodetët e komunës, t’i verifikoja a janë mirë a nuk janë mirë. Pikërisht aty ka qenë një pikë gjeodike dhe prej asaj pike deri në anën e kundërt të lumit, ka qenë maksimalisht 2 metra. E fajësoj kryetarin Shpejtim Bulliqin sepse kemi shpresu që ka me e rregullu dhe ka me qenë real. Mezi kemi pritë që do të rregullohet edhe kjo pjesa kah na, nuk kanë dashtë, kanë mendu me e vendos murin veç ka është dheu e jo ka janë pikat. Unë nuk kam leju sepse në atë kohë, kanë qenë diku 20 ari të dëmtuara, por niveli është rritë prapë dhe diku 50 ari është dëmi”- tha Bacaku për KALLXO.com
Drejtori për Shërbime Publike në Komunën e Podujevës e mohoi që muri mbrojtës planifikohej të ndërtohej në pronën e Musa Bacakut.
“E vërteta është që ne e kemi ndërtu murin mbrojtës deri të prona e tij, ai na ka pengu dhe është ndal si proces dhe kemi vazhdu në pjesë tjera dhe pronën e tij se kemi prekur. Jemi mundu me bo marrëveshje e diskutime të përbashkëta që me e rregullu lumin. Unë e kam të qartë që lumi ka bo gërryerje në pronën e tij, e di që e ka marrë një pjesë të tokës së tij. Diskutimi ka qenë që murin me e vendos në pika kadastrale të lumit, mirëpo si duket aty është kriju një pabesi sepse ai nuk besojke që ne mundemi me e vendos murin në pika kadastrale të lumit”- tha Bahri Selimi për KALLXO.com
Për ta zgjidhur problemin, fermeri thotë se iu drejtua disa herë Komunës, por, pa hasur në mirëkuptim.
“Kur kam shku herën e fundit pikërisht te drejtori që ka qenë në mbikëqyrje të projektit, i kam thanë kur do të përfundojnë parcelat e mija? Më ka thanë kurrë dhe në momentin kur i kam thanë po të incizoj, thuaje edhe njëherë ata çka e the, me ka qitë prej zyre”- shtoi Musa Bacaku.
Por, krejt tjetër version ka drejtori në fjalë.
“Për këtë kontratën e re kur e kemi ba, ne i kemi vendos pikat kadastrale edhe në pronën e tij. Përmes menaxherit të kontratës e kam ftuar në zyre të kryetarit, por ai nuk është përgjigj”- bëri të ditur Drejtori për Shërbime Publike në Komunën e Podujevës.
Puna për ndërtimin dhe rregullimin e shtratit të lumit Llap, kishte nisur qysh në vitin 2019. Kompania “Bini” i kishte fituar disa kontrata nga Komuna e Podujevës.