Lumir Abdixhiku, kandidati i LDK-së për kryeministër, më 16.01.2025 ka qenë për fushatë zgjedhore në Rahovec.
Ai ka thënë se aty e ndjen frymën e bashkimit dhe shpresës të një populli për të dëshmuar se ndryshimi është tashmë në rrugën e tij.
Abdixhiku ka thënë se në çdo hap janë të lidhur fort me historinë, por para së gjithash, janë të mbështetur tek e ardhmja, të udhëhequr nga forca e përbashkët dhe puna e palodhur.
“Prandaj entuziazmi dhe përkushtimi që ndjemë sot në Rahovec ishin edhe një tjetër dëshmi se LDK po shndërrohet në një forcë të pandalshme. Nga qytetet më të mëdha deri te fshatrat më të vogla, qytetarët e vendit po i përgjigjen këngës sonë për ndryshim dhe thirrjes sonë për kryengritje të djathë kombëtare”- ka thënë ai.
Gjatë ditës, kandidati i LDK-së për kryeministër ka qenë edhe në Gjakovë.
Në një postim në Facebook, ai ka thënë se nëse do të jetë në krye të Qeverisë pas 9 shkurtit do të jetë bashkëpunues me sektorin privat.
Ai ka vizituar kompaninë “Rronifer” në Gjakovë.
“Me qeverinë tonë, ky partneritet do të jetë baza e zhvillimit ekonomik, dhe bashkë me ta do t’i krijojmë kushtet që bizneset të rriten, të investojnë dhe të kontribuojnë në zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e çdo qytetari” – ka shkruar Abdixhiku.
Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.
Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.
Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:
– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;
– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.