Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), në kuadër të programit zgjedhor ka paraparë sigurimin e teksteve për nxënësit e arsimit fillor në mënyrë të drejtpërdrejt në shkolla.
Praktiken të cilën viteve të fundit e ka zbatuar Qeveria Kurti, duke mundësuar subvencionimin e prindërve për blerjen e librave, kjo parti nuk e sheh të udhës ta bëjë nëse vjen në pushtet.
Lidhur më këtë foli kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së, Fatlume Jaha, e cila tha se metoda e sigurimit të librave drejtpërdrejt në shkolla do të jetë më e lehtë për mësimdhënësit dhe për fëmijët.
“Ne si qeverisje e LDK-së do ta kemi synim kryesor që t’i sigurojmë tekstet në mënyrë të drejtpërdrejt për të gjithë nxënësit, në mënyrë që mos të shkaktohet hutia as të mësimdhënësit e as te nxënësit”- ka thënë Jaha, në “Debat Përnime”, më 15.01.2025.
Ndërsa, kandidatja tjetër, Jehona Lushaku-Sadriu tha se mënyra se si është praktikuar blerja e teksteve shkollore përmes subvencionimit të prindërve ka rezultuar me kosto tejet të lartë.
“Ne do t’i sigurojmë librat vetë sepse kostoja [sipas metodës së Qeverisë Kurti] ka qenë jashtëzakonisht e madhe. Nuk është njëjtë t’i subvencionosh qindra mijëra prindër vetë, dhe në anën tjetër t’u thoni blini librat me çmimin e tregut në librari. Por, ti si institucion kur shkon dhe negocion për shumicën e librave, normal që çmimi i librave do të jetë më i ulët”- ka thënë Lushaku-Sadriu.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
“Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.
Për më shumë lexoni në linkun në vijim:
https://kallxo.com/gjate/planet-e-ldk-se-per-arsimin-ne-kosove-dhe-per-investime-ne-rajonin-e-ferizajt/