Katër kandidatë për deputetë nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë shpalosur në emisionin “Debat Përnime”, disa nga projektet kryesore në fushën e arsimit, me zotimin se do t’i realizojnë nëse partia e tyre e fiton besimin e qytetarëve për të udhëhequr me vendin në katër vjetet e ardhshme.
Jehona Lushaku-Sadriu, njëherësh drejtoresh e Arsimit në Komunën e Prishtinës, zhvillimin e procesit të mësimit terëditor e konsideron si një prej projekteve më të mëdha që LDK-ja e ka bërë në aspektin e reformimit të sistemit të arsimit.
Ajo premton se me LDK-në në Qeveri, brenda dy mandateve procesi i mësimit terëditor do të zhvillohet në të gjitha shkollat e Kosovës.
“Nuk mund ta nisim reformën për krejt shkollat, sepse kufizimet buxhetore nuk e lejojnë atë. Nëse e nisim, unë jam e bindur që për tetë vite do të bëhet për krejt Kosovën”- thotë Lushaku-Sadriu, më 15.01.2025.
Realizimi i mësimit terëditor fillimisht parashihet të bëhet në pesë komuna të Kosovës, e më pas edhe në të gjitha shkollat e tjera.
“Synojmë që fillimisht në pesë komuna ta realizojmë tërësisht. Në të gjitha shkollat sa më shpejt që është e mundur. Kjo është e mundshme nëse kemi investime kapitale dhe nëse e rezervojmë buxhetin për shujtë”- tha Lushaku-Sadriu.
Për ta realizuar këtë lloj procesi mësimor, ajo premton se do të bëhet një riorganizim total i shkollave fillore, duke i ndarë ato në cikle, ku shkollat fillore deri në të pestën do të jenë në objekte të veçanta.
Në këtë program mësimor, orari do të jetë deri në tetë orë dhe fëmijët do të kenë mundësi t’i kryejnë detyrat e shtëpisë në klasë, ka shpjeguar kjo kandidate për deputete.
“Detyra e shtëpisë do të përfundohen në klasë nën përkujdesen e mësueses. Mësueses do t’i hiqen orët e Edukatës Fizike, Artit dhe Muzikës. Familjeve do t’u ulet kostoja- sepse [aktualisht] paguajnë qendra ditore jashtë orës së mësimit”- thotë Lushaku-Sadriu.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
“Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.
Për më shumë lexoni në linkun në vijim:
https://kallxo.com/gjate/planet-e-ldk-se-per-arsimin-ne-kosove-dhe-per-investime-ne-rajonin-e-ferizajt/