Ballina

LDK: “Testim klasik” për rivlerësimin e mësimdhënësve nuk do të ketë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk e sheh të drejtë rivlerësimin e mësimdhënësve në bazë të një “testimi klasik”, mirëpo premton se në kuadër të reformës në arsim do të bëhet matja e performancës së mësimdhënësve.

“Test klasik nuk do të ketë, por do të ketë stimulim dhe motivim të mësimdhënësve për të punuar dhe për të dhënë maksimumin për ngritje të cilësisë. Për mësimdhënësit që janë sot në sistem ne parashohim matje të performancës”- ka deklaruar kandidatja për deputete, Jehona Lushaku-Sadriu, në “Debat Përnime”, më 15.01.2025.

Ndërsa për mësimdhënësit e ri, LDK-ja parasheh një provim kombëtar përmes të cilit do të bëhej  rangimi në nivel vendi në bazë të performancës që mësimdhënësit e tregojnë.

Në këtë formë, Lushaku -Sadriu thotë se do të evitohet mundësia e ndikimit politik.

Kandidatja e LDK-së Jehona Lushaku-Sadriu. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.

Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

https://kallxo.com/gjate/planet-e-ldk-se-per-arsimin-ne-kosove-dhe-per-investime-ne-rajonin-e-ferizajt/