Emisari i Bashkimit Europian për Dialogun Kosovë- Serbi, Mirosllav Lajçak ka deklaruar se është takuar veçmas në Bruksel me delegacionin e Kosovës dhe të Serbisë. Ndërsa, takimi i përbashkët nuk ka ndodhur.
Më 15.01.2025, në Bruksel ishte planifikuar të mbahej mbledhja e parë e Komisionit të Përbashkët për Persona të Zhdukur në nivel deputetësh.
Lajçak tha se Kosova prezantoi prioritetet e saj, ndërsa Serbia ka njoftuar për mospjesëmarrje në një takim të përbashkët, për shkak të zhvillimeve në Kosovë.
“Jam takuar veçmas me të dyja palët. Kosova prezantoi prioritetet e saj. Serbia ka njoftuar për mospjesëmarrje në një takim të përbashkët, për shkak të zhvillimeve në Kosovë.” – ka shkruar Lajçak në “X”.
Policia e Kosovës kreu bastisje në disa Komuna të Kosovës, ku u mbyllën rreth 30 objekte të strukuturave paralele, të mërkurën më 15.01.2025.
Në takim delegacioni i Kosovës udhëhiqej nga Halil Cenaj, bëri të ditur kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Hoti ka thënë se kryenegociatori i Serbisë, Petar Pektoviq ka qenë në Bruksel, edhe pse takimi ka qenë i paraparë vetëm për çështjen e të pagjeturve dhe formati, sipas Hotit, ka qenë me zëvendësues të Komisioneve përkatëse të të dyja shteteve.
“Prania e z. Petkoviq në Bruksel është dëshmia më e qartë se pikërisht ai orkestroi dhe garantoi dështimin e takimit të paraparë – duke e kthyer një proces teknik jetik në një mjet të turpshëm të politizimit dhe obstruksionit.” – ka shkruar Hoti.
Sipas tij, arsyetimi i Serbisë për mospjesëmarrje është banal dhe i dëmshëm për procesin e zbardhjes së fatit të të pagjetuve dhe se nuk ka të bëjë asgjë me temën për të cilën janë thirrur në Bruksel.
“Kjo demonstron për të satën herë mungesën e gatishmërisë së Serbisë për të bashkëpunuar në këtë çështje të rëndësishme. Kjo tregon edhe njëherë politizimin e tejskajshëm të Serbisë, në raport me çështjen e personave të zhdukur.” – ka thënë Hoti.
Në ndërkohë, Hoti ka bërë të ditur se delegacioni i Kosovës ka mbajtur takime me përfaqësuesit e Bashkimit Europian dhe ka paraqitur kërkesat e palës kosovare.
“… për këtë kemi marrë njoftimin nga z. Lajçak, që do të raportohet konstruktiviteti ynë dhe kërkesat tona te vendet anëtare të BE-së.” – ka shkruar në fund Andin Hoti.
Televizioni serb RTS ka raportuar se shefi i delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq është larguar nga takimi, për shkak të zhvillimeve lidhur me aksionin policor kundër strukturave ilegale serbe në Kosovë.
“Kryenegociatori i Beogradit, Petar Petkoviq i ndërpreu dhe u largua nga bisedimet në Bruksel, për shkak të terrorit të paparë e dhunës institucionale të Prishtinës dhe Albin Kurtit ndaj serbëve e mbylljes së institucioneve të shumta serbe në Kosovë.” – ka thënë delegacioni i Beogradit, më 15.01.2025.
Në dhjetor të vitit 2024, Kosova dhe Serbia përmes përfaqësuesve të tyre në Dialog janë pajtuar për zbatim të plotë të Deklaratës për Personat e Zhdukur.
Kjo Deklaratë e Përbashkët në mes të dyja shteteve ishte miratuar në maj të vitit 2023, në kuadër të Dialogut dhe përmbante zotime si: qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një Komisioni të kryesuar nga Bashkimi Europian.