Ballina

Prokuroria në Gjilan kërkon paraburgim ndaj të dyshuarit për ‘vrasje në tentativë’

Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Gjilan, ndaj të pandehurit E. H., pasi i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale ‘vrasje në tentativë’.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se dyshohet se më 13.11.2024 E. H. ka tentuar ta privojë nga jeta L. H., për shkak të një mosmarrëveshje.

Ai kishte goditur me thikë viktimën dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

“Sipas kërkesës ekziston dyshimi i bazuar se më datën 13 nëntor 2024, në Gjilan, i pandehuri E. H. ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin L. H., në atë mënyrë që për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake verbale, me thikë e godet të dëmtuarin një herë në pjesën e shpatullës së majtë, ku pasi ndërhyjnë dëshmitarët dhe e largojnë i njëjti ikën nga vendi i ngjarjes. Ndërsa, i dëmtuari  si pasojë e plagës së marrë dërgohet fillimisht në Emergjencën e Spitalit Regjional në Gjilan, pastaj për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore transferohet në QKUK.” – thuhet në njoftim.

Prokuroria ka bërë të ditur se i pandehuri E. H., që nga koha e kryerjes së kësaj vepre penale ka qenë në arrati.